FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Zjarr i madh në Oreokastro të Selanikut, digjen fabrika dhe rrezikohen zonat e banuara

Një situatë dramatike është regjistruar gjatë natës në lagjen periferike Oreokastro, në afërsi të Selanikut, ku një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një zonë të gjerë agro-pyjore dhe ka detyruar evakuimin e dhjetëra banesave.

Zjarri ka shpërthyer rreth orës 20:30 të së shtunës dhe është përhapur me shpejtësi, i ndihmuar nga erërat e forta, duke krijuar kushte shumë të vështira për ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Gjatë gjithë natës, ekipet e emergjencës kanë qenë në luftë të vazhdueshme për të frenuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara dhe objekteve të biznesit.

Sipas autoriteteve, vatra e zjarrit është ndarë në disa fronte aktive dhe të shpërndara, të cilat kanë rrezikuar banesa, biznese dhe zona industriale. Në këtë rajon ndodhen magazina, punishte dhe fabrika me materiale lehtësisht të djegshme, gjë që ka përkeqësuar situatën. Gjatë natës janë raportuar edhe shpërthime, ndërsa një fabrikë dhe magazinat e saj janë shkatërruar plotësisht nga flakët, me dëme të konsiderueshme edhe në ndërtesa të tjera përreth.

Swiss Digital Desktop Reklama

Zjarri është favorizuar nga erërat veriore me forcë deri në 6 ballë, të cilat kanë ndryshuar vazhdimisht drejtim, duke e bërë edhe më të vështirë punën e zjarrfikësve. Tymi i dendur është përhapur mbi Selanik, duke ndikuar në cilësinë e ajrit në një zonë të gjerë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Autoritetet e zjarrfikësve e kanë cilësuar situatën si shumë të rrezikshme, për shkak të afërsisë me zonat urbane. Në terren janë angazhuar mbi 120 zjarrfikës, grupe speciale këmbësore, dhjetëra automjete dhe mjete mbështetëse, si dhe vullnetarë. Deri në mbrëmje kanë operuar edhe mjete ajrore, por ato janë tërhequr me rënien e natës.

Përmes sistemit të emergjencës është dhënë urdhër për evakuimin e banorëve në disa zona, përfshirë edhe largimin e 157 personave nga një institucion për sëmundje kronike në Derveni, për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë nga flakët.

Ndërkohë, zjarri ka vijuar të zhvendoset drejt zonave të tjera në perëndim të qytetit, duke rritur shqetësimin e autoriteteve lokale. Situata është përshkruar si kritike nga drejtues të bashkive përreth, ndërsa në terren ka mbërritur edhe njësia hetimore për zjarrvënie të qëllimshme. Në kuadër të hetimeve, është shoqëruar një person i moshuar, 76 vjeç, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?