Zjarr i madh në Pyllin e Sodës në Vlorë, situatë e vështirë me pesë vatra aktive
Një zjarr i madh ka shpërthyer pasditen e sotme brenda Pyllit të Sodës në Vlorë, në zonën me pisha pranë hekurudhës, duke vënë në alarm shërbimet e emergjencës. Mjetet e shërbimit zjarrfikës janë nisur me urgjencë drejt vendngjarjes për të vënë nën kontroll flakët, të cilat rrezikojnë të përhapen me shpejtësi për shkak të terrenit dhe lëndës së djegshme.
Situata në territorin e bashkisë Vlorë paraqitet tepër e vështirë. Sipas konfirmimeve nga vetë Shërbimi Zjarrfikës, efektivët po përballen me një mbingarkesë të madhe operacionale, pasi aktualisht janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, secila prej të cilave kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe burime të dedikuara.
Vatrat e zjarrit të regjistruara në rajon janë:
Pylli i Sodës (pranë hekurudhës)
Dukat
Zoma pranë tunelit
Zoma pranë Parkut të Mallrave
Triport
Shpërndarja e mjeteve dhe trupave në disa pika paralele po vështirëson menaxhimin e vatrës në Pyllin e Sodës, një nga zonat më me rëndësi ekologjike dhe mjedisore të qytetit të Vlorës.
Ekipet e emergjencës po punojnë në terren për lokalizimin e flakëve dhe parandalimin e depërtimit të tyre në thellësi të pyllit apo pranë zonave të banuara e infrastrukturore.
/rtsh.al/
KOHA JONË SONDAZH

