Zjarr në hotelin “Brooklyn” në Vlorë, 6 pushues të lënduar; shkak aksidental nga priza
Policia e Vlorës ka dhënë detaje mbi zjarrin që përfshiu hotel “Brooklyn” në lagjen “10 Korriku” në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke lënë gjashtë persona të lënduar. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:05 në ambientet e brendshme të hotelit, në pronësi të shtetases M. A., duke shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.
Si pasojë e flakëve, gjashtë pushues pësuan lëndime, prej të cilëve pesë ishin shtetas të Kosovës dhe një nga Rrësheni. Pesë prej të lënduarve u transportuan menjëherë për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku dy prej tyre raportohet se kanë djegie të konsiderueshme trupore. Ndërkohë, një tjetër po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Nga veprimet hetimore paraprake, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, është konstatuar se zjarri ka qenë aksidental. Shkaku i tij ishte djegia e prizës elektrike të një frigoriferi, i cili ndodhej në zonën e restorantit të hotelit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
KOHA JONË SONDAZH

