Zjarr në ullishte në Drizë të Fierit, kërkohet ndërhyrje nga ajri për shuarjen e flakëve
Pritet ndërhyrja nga ajri për të vënë nën kontroll flakët që kanë përfshirë një sipërfaqe me ullishte në fshatin Drizë të Fierit, ku zjarri po përhapet me shpejtësi për shkak të kushteve atmosferike.
Në terren ndodhen aktualisht forcat zjarrfikëse të Fierit, Roskovecit dhe Patosit, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës së zjarrit dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme të flakëve në zonat përreth. Për shkak të intensitetit të situatës, në operacion janë përfshirë edhe banorët e zonës, të cilët po ndihmojnë me mjete rrethanore në përpjekje për të kufizuar dëmet.
Zjarri po favorizohet nga era e fortë, e cila ka vështirësuar ndjeshëm punën e ekipeve të emergjencës dhe ka bërë që flakët të avancojnë në drejtime të ndryshme. Shqetësimi kryesor lidhet me afrimin e vatrës së zjarrit drejt depove të ujësjellësit që furnizojnë me ujë të pijshëm qytetin e Fierit dhe zonën industriale përreth.
Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe kanë kërkuar mbështetje shtesë, përfshirë edhe ndërhyrje nga ajri, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve në kohë sa më të shpejtë. Prioritet mbetet mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe parandalimi i dëmeve të mëtejshme në zonën e prekur.
KOHA JONË SONDAZH

