Zjarret përfshijnë edhe qarkun e Beratit, situata më kritike në Poliçan dhe Velçan
Flakët vazhdojnë të kërcënojnë disa zona të qarkut të Beratit, me situatën më të rënduar që po shënohet në Bashkinë Poliçan dhe në fshatin Velçan të bashkisë Berat.
Në zonën e mbrojtur, Rezervati i menaxhuar “Balloll” në Poliçan, zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke përfshirë sipërfaqe të pyllit. Në terren po ndërhyjnë 1 mjet dhe grup i MZSH Poliçan, 1 mjet dhe grup i MZSH Dimal, 6 forca të AdZM Berat si dhe 30 trupa të ushtrisë, por situata mbetet e rëndë.
Në qytetin e Poliçanit dhe zonën Mbrakull, si dhe në fshatrat Rehovë dhe Vokopolë, gjendja paraqitet e qetë dhe po mbahet nën monitorim.
Ndërkohë, në fshatin Velçan të Bashkisë Berat, flakët po përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe me shkurre. Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës po përpiqen të vendosin nën kontroll situatën me 20 zjarrfikës, 3 mjete të MZSH Berat dhe 25 forca nga Bashkia.
Në Bashkinë Skrapar, vatra e zjarrit në zonën e Rripit të Strorës, fshati Orizaj, po digjet me intensitet të ulët në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje po punojnë 6 zjarrfikës me 2 mjete të MZSH Skrapar, 5 banorë vullnetarë dhe 5 forca nga shërbimi pyjor i bashkisë.
Bashkitë Dimal dhe Kuçovë raportojnë situatë të qetë, pa vatra aktive zjarri.
KOHA JONË SONDAZH

