Zjarret, Presidenti Meta vë në lëvizje institucionet

Gjatë ditëve të fundit disa zona të vendit janë përfshirë nga zjarre masive. Në Mirditë dhe Gramsh situata është alarmante dhe po digjen disa hektarë pyje. Përkeqësimi i situatës në pyje, por edhe afër zonave të banuara ka sjellë sot reagimin e fortë të kreut të shtetit, Ilir Meta.

Në një deklaratë publike, Presidenti kërkoi nga autoritetet vendore që kanë përgjegjësi për territorin dhe institucionet e qeverisë që të marrin masa sa më parë për përballimin e situatës. Kreu i shtetit shprehet se ndërhyrja duhet urgjente jo vetëm për pasurinë natyrore, por dhe për ruajtjen e pronës dhe jetës së banorëve.

Pas apelit të kreut të shtetit janë vënë në lëvizje dhe institucionet kryesore të qeverisë. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftuan, pas deklaratës së kreut të shtetit, se në orën 15:00 do të dalin me deklaratë për mediat lidhur me atë që po ndodh në terren.

Ministria e Mbrojtjes flet për zjarrëvënie të qëllimshme, ndërkohë që deri më sot nga Policia e Shtetit nuk ka informacione për arrestime të personave që kanë vendosur zjarret.

Pylli me pisha në fshatin Siman në Gramsh është përfshirë nga flakët që prej mbrëmjes së 2 gushtit dhe ende nuk është shuar. Për shkak të terrenit të vështirë, zjarrëfikëset e kanë shumë të vështirë të ndërhyjnë. Një tjetër vatër zjarri është në në fshatin Molung në Grykën e Qafë Thanës, në Rubik, ku vazhdojnë të digjen pemët. Edhe këtu ende nuk ka pasur ndërhyrje profesionale për shuarjen e flakëve, të cilat nëse vazhdojnë mund të rrezikojnë dhe shtëpitë e banorëve.

Zjarre ka pasur dhe në pyjet mes fshatrave Lekël dhe Hormovë në Tepelenë. Të shtunën, 1 gusht, një zjarr i madh ra në pyllin e Sulit afër Devollit, si dhe në pyjet e Lezhës e Mirditës.

SHKARKO APP