Zjarrfikësja shkon të ndihmojë në shuarjen e flakëve, por ngec në urë e kërkon ndihmë vetë!
Shqipëria vendi i çudirave.
Njoftimi se një makinë ka marrë flakë në parkimin e kishës ortodokse në Fier ka vënë në lëvizje shërbimin zjarrfikës. Por kur mjeti zjarrfikës po shkonte në vendngjarje ngeci në urë. Njëra gomë theu dërrasat, që u prishë dhe zjarrfikësja rrezikonte të binte në lumin Gjanica.
Për shkak se kjo urë nuk është ndërtuar mirë, në një pjesë të saj ka pësuar shembje. Forcat zjarrfikëse që u nisën për ndihmë për të shuar flakët, u detyruan të kërkojnë ndihmë vetë.
Pas dy orësh punë nga ana e vetë zjarrfikësve dhe punonjësve të shërbimeve publike të bashkisë Fier u bë e mundur nxjerrja e mjetit nga ura. Nga ndihma për dikë që po digjej u kalua në variantin të ndihmojmë zjarrfikësen nga rënia në lum.
Ndërkohë andej ku ishte makina në djegie e sipër, ajo u shkrumbua.
Në Shqipëri ka rrugë pa rrugë ku duhet të futet zjarrfikësja apo autoambulanca, por që nuk kalon dot sepse ngecin ose prishen nga rruga e keqe. Nëpër lagje apo blloqe banimi kudo janë ngushtuar rrugët dhe nuk kalohet.
Një tmerr ndërtimesh dhe bllokimesh sa vetëm Zoti i shpëtoftë disa lagje nëse bie zjarr. E kjo gjë kudo nëpër Shqipëri.