Zjarri në Kalivaç, kryebashkiaku Ndreu: Dëme të shumta në disa banesa, situata është në përmirësim
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka inspektuar nga afër zonat e përfshira nga zjarri në Kalivaç, ku flakët kanë shkaktuar dëme edhe në disa banesa. Në një prononcim për mediat, Ndreu bëri me dije se zjarri është përhapur me shpejtësi, i favorizuar edhe nga erërat e forta. Sipas tij, ndërhyrja e forcave në terren, e mbështetur edhe nga ajri me dy helikopterë, ka bërë që situata të shkojë drejt përmirësimit. Autoritetet vijojnë punën për vënien nën kontroll të plotë të vatrave të zjarrit dhe për monitorimin e zonave të prekura.
“Ka një zjarr, siç e shikoni është një ndër zonat më të thella të Lezhës. Zjarri është përhapur menjëherë, ka pasur edhe erë. Ndërkohë që ne jemi përgatitur, forcat e emergjencave janë përgatitur. Helikopterët kanë ardhur, zjarri ka bërë punën e vet. Ka dëmtuar disa banesa. Jemi këtu te banesa e shtetasit Preng Boci, e cila është dëmtuar thuajse komplet.
Kemi evidentuar edhe disa banesa të tjera. Kemi shkuar dhe i kemi parë aty. Por ajo që është pozitive për momentin është që nuk kemi dëme në njerëz dhe kjo është kryesorja. Zjarri tani po vihet nën kontroll, megjithëse ka vatra dhe ne po i ndjekim. Tani po shpërndahen edhe të gjitha forcat këmbësore që do shkojnë në disa vatra ku helikopteri ka bërë punën e vet. Dy helikopterë.
Besoj se pas gjithë asaj që ka ndodhur, situata do të vihet nën kontroll. Shpresoj që të jemi në një situatë për përmirësuar orë pas ore. Zjarri është përhapur shumë shpejtë, ka pasur një përhapje rrufe. Zjarri ka hyrë në banesa dhe ka bërë dëme më të mëdha”, tha mes të tjerash Ndreu.
KOHA JONË SONDAZH

