Zjarri në Krastë të Krujës dëmton Lapidarin e Zidollit, Kalaja: Dëshmi e luftës së Skënderbeut me turqit
Aktivisti Aulon Kalaja bën me dije se nga zjarri është djegur edhe një pjesë e lapidarit të Zidollit, që dëshmon luftën mes Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe turqve. Sipas tij, flakët në lagjen Boje të Krujës rrezikojnë banesat, teksa i bëri thirrje të gjithë forcave zjarrfikëse dhe vullnetarëve që të kontribuajnë në vënien nën kontroll të flakëve. Ai tha se i rrezikuar është edhe qyteti antik ilir i Albanopolis.
“Ndodhemi në fshatin Halil, aty ku forcat zjarrfilëse dhe helikopterët po luftojnë me flakët. Janë disa vatra aktive. Është djegur edhe pjesa e lapidarit të Zidollit, që dëshmon luftën mes Skënderbeut dhe turqve. Jemi shumë afër rrugës kryesore. Shikoni jemi pranë rrugës kryesore, janë shumë pak, 100 metra. Rreziku ka qenë shumë i madh në këtë shteg këtu, po të shikoni vetëm 100 metra nga këtu është i grumbulluar dinamit.
Në lagjen Boje të Krujës rrezikohen edhe shtëpitë. Ndërkohë më thonë që ka flakë zjarri edhe në Albanopolis. Ajo që është e rëndësishme tani është ndërhyrja me helikopter, sepse gjatë natës ndërhyrja me helikopter është e pamundur. I bëjmë thirrje gjithë zjarrfikësve dhe vullnetarëve të vijnë në Krujë dhe të japin një kontribut sado të vogël për shuarjen e flakëve”, tha mes të tjerash Kalaja.
KOHA JONË SONDAZH

