Zjarri në magazinë, dyshohet se është zhdukur edhe një 17-vjeçar
Ende po vijojnë kërkimet për gjetjen e 33-vjeçarit Arjan Sala, i cili mbeti i izoluar në katin e nëndheshëm të magazinës së një qendre tregtare, dyshohet se në të njëjtin ambient është zhdukur edhe një 17-vjeçar.
Ka ardhur një denoncim nga i ati i 17-vjeçarit, i cili shprehet se rreth orës që ka ndodhur ngjarja në mbikalimin e Kamzës, pasditen e të mërkurës, ka humbur kontaktet me të birin.
Ai ka bërë me dije se djali i tij punonte me shkarkimin e kamionëve në këtë qendër tregtare. Ndërkohë, ende nuk ka një konfirmim nga ana e autoriteteve për 17-vjeçarin, i cili ka humbur kontaktet me familjarët.
Nga ana tjetër, forcat zjarrëfikëse po vijojnë kërkimet për Arjan Salën, i cili pasi shpëtoi 25 punonjës, mbeti i izoluar në magazinën që është vatra e zjarrit dhe riaktivizohet vazhdimisht për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme.