Zjarri në Shëngjin, në pranga 57-vjeçari i dyshuar si autor
Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 57-vjeçar, i cili dyshohet se është përgjegjës për zjarrin që përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në malin e Shëngjinit. Arrestimi u krye pas hetimeve të zhvilluara nga autoritetet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, i arrestuari, shtetasi me inicialet B. A., dyshohet se më 3 korrik 2026 kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturina pranë aktivitetit të tij tregtar në zonën e njohur si “Sagë”, në Shëngjin. Megjithatë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe, të favorizuara edhe nga kushtet atmosferike, janë përhapur me shpejtësi drejt zonës pyjore të malit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis.
Gjatë përhapjes së zjarrit është regjistruar edhe një incident tjetër. Flakët dyshohet se kanë aktivizuar një predhë luftarake të mbetur e pashpërthyer në terrenin malor, duke shkaktuar një shpërthim. Si pasojë e këtij shpërthimi është lënduar lehtë një 30-vjeçar me inicialet A. U., i cili ndodhej si pasagjer në një automjet që po kalonte pranë zonës së ngjarjes. Ai mori ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, sipas autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se gjatë hetimit është hequr pajisja DVR e kamerave të sigurisë të subjektit në pronësi të të dyshuarit. Sipas Policisë, ky veprim dyshohet se është kryer me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe vështirësimin e procesit hetimor.
Në përfundim të procedurave, 57-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për disa vepra penale, përfshirë shkatërrimin e pronës nga pakujdesia, pengimin e zbulimit të së vërtetës, shkatërrimin nga pakujdesia me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor, si edhe plagosjen e lehtë nga pakujdesia.
Policia e Lezhës u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë sezonit të verës dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke paralajmëruar se shkelësit do të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.
KOHA JONË SONDAZH

