Zonat e mbrojtura në rritje, Koçiu: Shqipëria po ndërton një rrjet të qëndrueshëm
Shqipëria ka vijuar zgjerimin e rrjetit të zonave të mbrojtura, duke bërë që rreth një e katërta e territorit të vendit të përfshihet në sistemin kombëtar të mbrojtjes së natyrës. Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka publikuar një material informues ku pasqyrohen politikat dhe masat e ndërmarra në fushën e mjedisit gjatë periudhës 2013–2026.
Sipas Koçiut, gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë reforma në legjislacionin mjedisor, është forcuar menaxhimi i zonave të mbrojtura dhe janë zhvilluar nisma për ruajtjen e biodiversitetit, ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Rrjeti kombëtar i zonave të mbrojtura përfshin 12 parqe kombëtare, 28 zona të kategorive të tjera të mbrojtura, 11 peizazhe të mbrojtura dhe 724 monumente natyre. Ndër zonat me rëndësi të veçantë përmenden Alpet e Shqipërisë, Syri i Kaltër, Porto Palermo dhe lugina e lumit Vjosa.
Një ndër projektet më të rëndësishme mjedisore ka qenë shpallja e Vjosës si Park Kombëtar. Kjo zonë përfshin rreth 480 kilometra rrjedhë lumore, së bashku me degët kryesore të saj, ndërsa për mbrojtjen e ekosistemit janë hequr dhjetëra projekte të mëparshme për ndërtimin e hidrocentraleve.
Në kuadër të mbrojtjes së faunës së egër është zbatuar edhe moratoriumi i gjuetisë, i cili synoi ndalimin e dëmtimit të pakontrolluar të specieve. Sipas të dhënave të publikuara, gjatë dy viteve të para të zbatimit të kësaj mase, numri i shpendëve u rrit ndjeshëm.
Zonat e mbrojtura kanë marrë gjithashtu një rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit natyror. Gjatë vitit 2025 ato u vizituan nga miliona turistë, ndërsa agroturizmi, ekoturizmi dhe aktivitetet sportive në natyrë kanë krijuar mundësi të reja ekonomike për komunitetet lokale.
Një tjetër prioritet ka qenë mbrojtja e pyjeve. Përmes masave kundër prerjeve të paligjshme dhe programeve të pyllëzimit, gjatë dekadës së fundit janë mbjellë mbi pesë milionë pemë, ndërsa janë realizuar ndërhyrje rehabilituese edhe në zona të rëndësishme si Parku Kombëtar i Lurës.
KOHA JONË SONDAZH

