Zonja e Parë e Shqipërisë mbështet iniciativën e AADF-së “Elementi IT” në shkolla

Zonja e Parë, Armanda Begaj, së bashku me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, me Kryetarin e Bordit të Administrimit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, si dhe me bashkëdrejtuesit e AADF-së, Martin Mata dhe z. Aleksandër Sarapuli, vizituan laboratorin TIK në shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” në Tiranë.

Në këtë laborator të ndërtuar me bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, ndoqën një orë mësimi me  nxënësit mbresëlënës të klasës së dytë.

Zonja Begaj shprehu falënderim ndaj iniciuesve dhe mbështetësve të projektit “Element IT”, i cili synon të nxisë interaktivitetin, gjithëpërfshirjen dhe novacionin te fëmijët.

Nëpërmjet platformës së kodimit CodeMonkey, që është edhe shumë argëtuese, fëmijët mësojnë se si të krijojnë një varg veprimesh (një algoritëm), për të realizuar qëllimin e lojës së tyre (për të zgjidhur një problem), një mënyrë shumë e mirë për të nxitur e zhvilluar mendimin krijues tek ata, duke përgatitur kështu profesionistët e së ardhmes.

Zonja Begaj ndau me të ftuarit kënaqësinë për dëshirën e madhe të vogëlushëve për të mësuar gjuhën e kodimit, si dhe përkushtimin plot pasion të mësuesve të tyre.

Të ndërgjegjshëm se Teknologjia e Informacionit ka depërtuar në çdo aspekt të jetës sonë, implementimi i këtij projekti në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të jetë i mirëpritur.

SHKARKO APP