Zoto: 815 të liruar që përfituan nga amnistia, 415 janë rikthyer sërish në qeli

Më shumë se gjysma e personave të liruar nga amnistia e vitit të kaluar janë ritkthyer në burg sepse kanë kryesr sërish krime. Nga 815 të liruar që përfituan nga kjo amnisti, 415 janë rikthyer sërish në qeli.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto zgjodhi emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku për të bërë publike shifrën. Sipas tij, përsëritja e veprave penale nga të dënuarit që lirohen është një problem shqetësues.

“Fakti që më shumë se gjysma janë rikthyer në burg vetëm në një vit pasi përfituan nga amnistia, kjo përbënë një problem për shoqërinë” tha Zoto.

Nga ana tjetër Zoto bëri publike një shifër interesante për personat që janë arrestuar dhe dënuar për vjedhjen e energjisë elektrike.

“Janë 200 persona në të gjithë vendin që ndodhen aktualisht në qeli vetëm për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike” tha Zoto.

Një problem tjetër shumë i diskutuar është edhe mbipopullimi në burgje. Zoto dha shifrën 1190 persona që janë aktualisht në burgje më shumë se kapaciteti ndërkohë që aktualisht në burgje ndodhen 5830 persona. Gjithsesi janë duke u bërë përpjekje që kjo situatë të menaxhohet sa më mirë duke realizuar rikonstruksione të burgjeve ekzistuese.

Sipas Zotos numri i personave që janë dënuar me burgim të përjetshëm ka shkuar në 350, ndërkohë që janë një sërë programesh që synojnë rehabilitimin e këtyre personave.

SHKARKO APP