Zv/kryeministrja Koçiu për alarmin e rremë në shkollë: Çmenduri e mirëfilltë kriminale
Zv/kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar ashpër pas alarmit të rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, në ditën e parë të nisjes së mësimit, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë dhe të papranueshëm.
Përmes një reagimi publik, Koçiu thekson se një alarm i tillë, në një moment kur oborret e shkollave janë të mbushura me fëmijë, nuk mund të konsiderohet as shaka dhe as një test për institucionet e sigurisë.
”Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale”, shprehet Koçiu.
Postimi i plotë
Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale.
Kjo lloj çmendurie që shpesh tolerohet nën alibinë e një “lirie” pa fre, nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e vërtetë.
Këtyre që ndosin protestën, që e ngatërrojnë lirinë me anarkinë e mendjeve të tyre të boshatisura, duke e kthyer hapësirën tonë publike në një fushë eksperimentesh të dështuara, ligji duhet t’u tregojë shumë shpejt se Shqipëria nuk është një teatër ku mund të luajnë falas dramat e tyre të sëmura.
Refuzimi i këtyre sjelljeve anormale duhet të jetë qëndrim i të gjithë shoqërisë.
KOHA JONË SONDAZH

