Zv.Ministrja Sula: Përballja me të shkuarën ndihmon në konsolidimin e lirisë në vend

Qeveria është e vendosur që t’i shkojë deri në fund nismës së saj për hapjen e dosjeve. Këtë vullnet e ka konfirmuar sot kryeministri z. Edi Rama, gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me temë “Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit – Eksperienca gjermane në trajtimin e dosjeve të STASI-t”.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministri i MSR-së z. Erion Veliaj, Zv.Ministrja e MSR-së, znj. Gentjana Sula, kreu i Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë etj. E ftuar e veçantë në këtë takim ishte edhe znj. Hildigund Neubert, kryetare e Bordit të Fondacionit Konrad Adenauer dhe ish-Komisionere e Komisionit Federal për Arkivat e STASIT të Landit të Thüringen në Gjermani, e cila bëri një paraqitje të shkurtër të eksperiencës gjermane në hapjen e dosjeve.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi se trajtimi i kësaj çështje nuk mund të shtyhej më tej, ndaj bëri të ditur se qeveria dhe mazhoranca që ai drejton do ta miratojë këtë nismë pavarsisht zërave skeptik për domosdoshmërinë e saj në këtë moment.

“Të gjendur para një trashëgimie komplekse, të një ekonomie të mbërthyer nga informaliteti dhe në kushtet e një vendi në nivel alarmant paligjshmërie në fushat më jetike të veprimtarisë dhe të qënies së vetë, vendimi për të filluar edhe procesin e hapjes së dosjeve së dokumentave të fshehta të së shkuarës në Shqipëri u pa, apo shihet edhe sot nga shumëkush, jo si një prioritet, por si një shtesë e tepërt në barrën e rëndë të problemeve të trashëguara. Moria e problemeve akute ishte e tillë dhe mbetet e tillë saqë na e bënte të dukej këtë projekt të veçantë të qeverisë shqiptare si luks të panevojshëm për disa dhe si një përsiatje e padobishme për disa të tjerë. Sigurisht, hapja ose moshapja e dosjeve nuk ndryshon parametrat ekonomik të vendit, nuk ndryshon mbase edhe shumëçka tjetër në rrugën e përpjekjeve për të adresuar gjërat që duhet të ndryshojmë, por përbën një ndryshim themelor në raportin me të shkuarën, si një pjesë e patjetërsueshme e raportit me të ardhmen, në raportin me vetveten si shoqëri, si një domosdoshmëri”, u shpreh kryeministri Rama.

“E gjithë qasja e Qeverisë ndaj kësaj çështje ka qenë e frymëzuar nga një e vërtetë e thjeshtë, që një përballje e sinqertë dhe e plotë me të shkuarën e diktaturës në Shqipëri ndihmon në konsolidimin e lirisë në vend. Debati i dy muajve të fundit mbi këtë çështje vetëm ka ndihmuar të shfaqë edhe më qartë sa vonë kemi qenë në trajtimin e kësaj çështje dhe nevojën për ta kryer atë”, u shpreh në fjalën e saj, Zv.Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, znj. Gentjana Sula.

Ndërkohë, përfaqësuesja e fondacionit “Konrad Adenauer”, znj. Neubert, bëri një prezantim të hollësishëm të përvojës gjermane në fushën e hapjes së dosjeve të ish-shërbimit sekret gjerman “STASI-t”. Ajo shtoi se ky proces duhet t’i shërbejë sqarimit të historisë dhe për t’i mësuar të rinjëve sesi funksionojnë diktaturat, por edhe për të nderuar ata që në periudha të vështira vendosën të luftojnë kundër tyre.

SHKARKO APP