Zvicra, referendum për ndërtimin e tunelit të dytë të Gothardit

Ndërtimi ose jo i një tuneli tjetër, paralel me atë ekzistues të Gothardit, që lidh Zvicrën gjermane me atë italiane përfundimisht do të jetë temë e një referendumi në nivel nacional. Siç bën të ditur kancelaria federale, me 75 mijë nënshkrime të grumbulluara, iniciativa përkatëse ka plotësuar kriteret për tu hedhur në votim gjegjësisht në referendum.

Qeveria dhe parlamenti kanë shpallur se janë të interesuar për ndërtimin e tunelit (gypit) të dytë, paralel të Gothardit. Ndërtimi do të fillonte pas vitit 2020. Pas përfundimit të ndërtimit të tij, tuneli ekzistues do të mbyllej për një kohë për tu rinovuar. Pas ndërtimit të tunelit të dytë, automjetet do të shfrytëzonin të dy tunelet por vetëm nga njërin drejtim të tyre, gjerësisht ata do të shfrytëzoheshin si tunele njëkahëshe.

Ky përcaktim i qeverisë dhe parlamentit është bërë për të siguruar kundërshtarët se nuk do të ketë dyfishim të automjeteve gjegjësisht shtim të ndotjes së ambientit nga karburantet.

Por, kundërshtarët e tunelit të dytë dyshojnë në “garancinë” që jep shteti. Ata druajnë se herët ose vonë, tunelet do të shfrytëzohen në dy kahet. Për këtë arsye ata e kanë nisur iniciativën e përmendur. /albinfo.ch

 

SHKARKO APP