Alban Beqja: Koncesioni, “gogoli” që tremb qeveritë
(Botuar me 31 tetor 1998 në KOHA JONE)
Nga Alban Beqja-
TIRANË – Koncesioni në Shqipëri që prej 65 vjetësh vazhdon të jetë një realitet absurd. Kjo, në një kohë që shumë specialistë e konsiderojnë përdorimin e tij si një mjet që do t’i japë një impuls të fuqishëm zhvillimit ekonomik në vend. Megjithëse ka tre vjet që është miratuar ligji për koncesionin, për herë të dytë në historinë shqiptare të këtij shekulli, asnjë firmë nuk ka arritur të marrë nga shteti të drejtën e shfrytëzimit të një pasurie në Shqipëri në këtë formë.
Drejtori i Negocimeve dhe Projekteve, Bujar Leka dhe Teuta Komino, Drejtore e Legjislacionit në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit thonë se, “disa nga faktorët e mosmarrjes për t’u shfrytëzuar me koncesion të një pasurie në Shqipëri janë niveli i ulët i interesit nga firmat e huaja dhe situatat kaotike që kaloi vendi vitet e fundit. Kanë ardhur një numër firmash jo shumë i madh për të marrë me koncesion një pasuri në vend, por asnjëra prej tyre nuk ka pasur fuqinë e duhur financiare për të ndërmarrë një vepër madhore në Shqipëri e për ta shfrytëzuar”.
Koncesioni është një alternativë investimi që konsiderohet në bazë të përvojës botërore si formë e domosdoshme në kushtet e një ekonomie tregu e sidomos në shtetet që nuk kanë mundësi financiare për të realizuar vepra madhore. Një shembull është Turqia, ku të gjitha hidrocentralet janë ndërtuar me anë të dhënies së koncesioneve në këtë sektor. Në Shqipëri mund të konsiderohen vepra të këtij niveli hidrocentralet, termocentralet, aeroportet, portet, parqet industriale e turistike, autostradat, zonat minerare, të ujësjellësve. Të mirat e dhënies me koncesion për shfrytëzimin e veprave ekzistuese ose të ndërtimit të të rejave është se krijohet një bazë e re për plotësimin e nevojave të vendit për një shërbim ose produkt të caktuar. Gjithashtu, një investim në këto përmasa krijon premisa për punësimin e një numri të madh punonjësish dhe siguron të ardhura nëpërmjet taksave për shtetin. Nëse merret një vepër ekzistuese për t’u shfrytëzuar me koncesion, për masën e investimit material e human, shteti siguron një bonos, e thënë ndryshe një fitim në bazë të përqindjes së caktuar në kontratë si fitim ose favoreve e lehtësive që i ofrohen shtetit dhe objekteve në pronë të tij. Por, në të njëjtën kohë në Shqipëri mungon infrastruktura, paratë për të ndërmarrë iniciativa të tilla si dhe njerëzit që do të mbikëqyrin zhvillimin e koncesioneve. Kjo e fundit, për arsyen e shkatërrimit të institucioneve kërkimore-shkencore të sektorëve të veçantë të ekonomisë, vlera që tashmë i mungojnë realitetit shqiptar, si dhe kualifikimit të mëtejshëm të njerëzve me të tilla zhvillime të tregut në vend. Duke parë rëndësinë e kësaj forme të investimit në ekonomi si dhe të një rritjeje të kërkesës së të huajve për të investuar në Shqipëri, në korrik të vitit 1995 në parlamentin shqiptar miratohet ligji “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”. Më pas, ai do të kishte një shtesë në prill të këtij viti. Por, megjithatë deri tani asnjë firmë e huaj nuk ka ngulur rrënjët në Shqipëri në formën e koncesionit.
Aktualisht, janë në fuqi marrëveshje paraprake të firmosura me firma të huaja për hidrocentralet e Banjës dhe Kalivaçit. Për hidrocentralin e Kalivaçit në lumin Vjosa është e interesuar firma italiane BEKETI. Ndërsa për hidrocentralin e Banjës një konsorcium austriak i përbërë nga 6 firma, përkatësisht Verbbundplan Gmbh (Consulting Enginiers), Voest Alpine, ABB Energie, Alpine Bau, Smelt International, Elektrizats. Ky konsorcium ka nënshkruar në tetor të vitit të kaluar një marrëveshje paraprake me qeverinë shqiptare, por që do të merrte formën përfundimtare në shtator të këtij viti. Bujar Leka thotë se, “ishin ngjarjet e shtatorit ato që penguan ardhjen e përfaqësuesve të kësaj kompanie dhe mbylljen e kontratës përfundimtare që do t’i hapte rrugën një investimi, vetëm në këtë vepër prej 140 milionë dollarësh”. Ndërsa firma BEKETI po qëndron e tërhequr nga propozimi i saj për shkak të pamundësisë financiare që kërkon një investim i tillë në lumin Vjosa.
Ndërkohë ka pasur bisedime, sipas Drejtorit të Negocimeve e Projekteve në Ministrinë e Ekonomisë e Privatizimit, edhe për dhënien me koncesion të zonave industriale të qyteteve kryesore të vendit si Kombinatet e Autotraktorëve, i Tekstileve në Tiranë, i Metalurgjisë në Elbasan, në Korçë, Berat, Shkodër. Në këtë zona mund të ndërtohen struktura prodhuese të veçanta në shërbim të njëra-tjetrës, por pa shpresuar se do të rindërtohen kombinatet siç kanë qenë.
Një kërkesë tjetër, sipas Bujar Lekës, është ajo nga biznesmenë të shoqatës italiane Toskanë-Shqipëri për dhënien me koncesion të një parku turistik në lagunën e Lezhës ku përfshihen Vaini, hoteli i Gjuetisë e deri në ranishte në bregdet. Investitori ofron një investim që do të bëjë të mundur ngritjen e impianteve për rritje kafshësh e shpendësh, të peshkut, të ambienteve cilësore të shërbimit, por edhe për krijimin e kushteve për gjueti. I gjithë investimi ka për synim pasurimin e vlerave natyrore ekzistuese dhe krijimin e një plazhi të tipit tropikal pa e shkatërruar me ndërtime betoni.
Investitori italian premton që me dhënien e koncesionit nga shteti, të rregullojë vetë marrëdhëniet me pronarët ekzistues të tokave në marrëveshje me secilin. Përmirësimi i ligjit për koncesionet në prill të këtij viti krijoi mundësinë e dhënies së koncesionit edhe për zonat turistike e minerare. Kërkesat për koncesione nga viti në vit janë në rritje, sipas zyrtarit të Ministrisë së Ekonomisë, por duhet të gjejnë një nivel të tillë në rritje edhe të predispozitës e të krijimit të kushteve nga shteti për futjen e investimeve e të tilla përmasave, sidomos të sigurisë me anë të vendosjes së rendit. Aktualisht, sipas Drejtores së Legjislacionit të Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, “është ngritur një grup pune për të përgatitur një përmirësim të ligjit ekzistues për koncesionet, pasi kjo formë investimi ka filluar të shihet me shumë seriozitet nga shteti. Ky përmirësim i ligjit do të bëhet në drejtim të saktësimit të mëtejshëm të hapësirës që krijojnë dispozitat ekzistuese, si dhe një thjeshtëzim të procedurave të marrjes së koncesionit. Deri në miratimin e tij vitin e ardhshëm do të operohet me ligjin ekzistues”.
Por, shton Leka, “shteti me cilësinë e pronarit është i pranishëm në të gjithë fazën e koncesionit. Ai kryen një monitorim ose mbikëqyrje të gjithë zhvillimit të veprimtarisë së koncesionit në bazë të kontratës së lidhur mes shtetit dhe firmës përkatëse private. Shteti që është i vendosur si palë në kontratë si organ shtetëror i autorizuar ndjek hap pas hapi çdo shfrytëzim gjatë gjithë kohës, për mënyrën si realizohet, masën e investimit si dhe plotësimin e kushteve të tjera të pranuara në fazën e nënshkrimit. Ai i ndjek i kushtëzuar e në varësi të politikave ekonomike të zhvillimit çdo aspekt të aktivitetit të koncesionit, dhe në rast se shikon shkelje të detyrimeve kontraktuale, ai ka të drejtë të marrë masa deri në shfuqizimin e koncesionit”.
ALBAN BEQA