
10 vite pas Brexit, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord për një marrëveshje të re që përfshin eksportet ushqimore, lëvizjen e të rinjve dhe emetimet e karbonit. Skema për lëvizjen e të rinjve do t’u mundësojë personave të moshës 18 deri në 31 vjeç të punojnë, studiojnë ose udhëtojnë në Bashkimin Evropian për një periudhë deri në tre vjet dhe anasjelltas, për qytetarët e BE-së që dëshirojnë të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Burnham e cilësoi një “moment historik” dhe një ditë të mirë për Britaninë dhe Evropën. Ai shtoi se marrëveshja është në përfitim të të dyja palëve dhe dëshirë e britanikëve. Çdo vit, 100,000 shtetas britanikë dhe 100,000 qytetarë të BE-së do të kenë mundësi të marrin pjesë në këtë skemë. Numri i pjesëmarrësve, si për ata që vijnë nga BE-ja në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe për ata që udhëtojnë në drejtim të kundërt, do të ndahet ndërmjet vendeve anëtare në bazë të popullsisë së secilit shtet.
Fillimisht, pjesëmarrësit nga Mbretëria e Bashkuar do të aplikojnë për të udhëtuar drejt një vendi të caktuar të BE-së, por më vonë do të kenë mundësi të kalojnë në një vend tjetër. Gjatë periudhës trevjeçare, ata mund të qëndrojnë në gjithsej tre vende të ndryshme. Megjithatë, përpara se të kalojnë në një vend tjetër, duhet të qëndrojnë të paktën 12 muaj në vendin e parë. As qytetarët britanikë dhe as ata të BE-së nuk do të kenë të drejtë të përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale gjatë qëndrimit jashtë vendit dhe nuk do të mund të shoqërohen nga persona në varësi të tyre, si për shembull fëmijët.
Pjesëmarrësit do të duhet të paguajnë një tarifë aplikimi dhe të dëshmojnë se kanë mjete të mjaftueshme financiare për të përballuar shpenzimet e tyre gjatë qëndrimit. Sa për marrëveshjen lidhur me uljen e tarifave për eksportet e produkteve ushqimore, kryeministri Burnham iu tha britanikëve se “kjo është për ju” dhe se dekada e fundit ka qenë më e vështira për të rinjtë. “Ne duhet të bëjmë diçka serioze për këtë çështje”, tha ai.
Ndërsa Ursula von der Leyen e komentoi si “sukses të madh” dhe u shpreh e bindur se kjo do të ulë kostot për konsumatorët. “Ky është një sukses i madh. Është një marrëdhënie e ndërsjellë, ku përfitojnë të dyja palët”, thotë ajo, duke shtuar se kjo marrëveshje do të sjellë ulje të kostove për konsumatorët. Sa i përket emetimeve, Von der Leyen tha se kanë përfunduar negociatat për ndërlidhjen e tregjeve të karbonit me qëllim uljen e emetimeve. Ajo theksoi se kjo do të zvogëlojë “varësinë e tepruar nga karburantet fosile të importuara”.
BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë arritur gjithashtu një marrëveshje për migracionin, të quajtur “Plani i Veprimit për Kanalin Anglez” (Channel Action Plan), e cila synon të ashpërsojë masat kundër kalimeve të paligjshme përmes Kanalit Anglez. Burnham tha se marrëveshja do t’i japë ekonomisë britanike një impuls prej 17 miliardë paundësh dhe do të kontribuojë me deri në 0.5% në PBB-në e Mbretërisë së Bashkuar. Ai e cilësoi atë si “masën e vetme më të madhe për nxitjen e rritjes ekonomike që mund të ndërmerrnim gjatë këtij mandati parlamentar”.
E pazgjidhur mbetet çështja e tarifave të studimit, për të cilat vijojnë negociatat. Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, u shpreh se Bashkimi Evropian mbetet i hapur për të pasur “marrëdhënien më të ngushtë të mundshme” me Mbretërinë e Bashkuar, por theksoi se lufta në Ukrainë përbën një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet blloku evropian.
