2020 do të jetë viti më i nxehtë që nga fillimi i matjeve të temperaturave
Ky vit do të jetë më i nxehti në botë që nga fillimi i matjeve, sipas meteorologëve, të cilët vlerësojnë se ka një shans nga 50% deri në 75% që 2020 do të thyejë rekordin e vendosur katër vjet më parë.
Edhe pse izolimi nga koronavirusi ka pastruar përkohësisht ajrin, nuk ka bërë asgjë për të ftohur klimën, që ka nevojë për masa më të thella, më afatgjata, thonë shkencëtarët.
Regjistrimet e nxehtësisë janë thyer nga Antarktiku në Groenlandë që nga janari, gjë që ka befasuar shumë shkencëtarë sepse ky nuk është një vit El Niño, fenomen që zakonisht shoqërohet me temperatura të larta.
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA llogarit se ka një shans 75% që viti 2020 do të jetë viti më i nxehtë që nga fillimi i matjeve. Agjensia amerikane tha që tendencat po ndiqnin nga afër rekordin aktual të vitit 2016, kur temperaturat u rritën në fillim të vitit për shkak të një El Niño jashtëzakonisht të fortë dhe pastaj zbritën.
Ky janar ishte më i nxehti në rekord, duke lënë shumë zona të Arktikut pa dëborë. Në shkurt, një bazë kërkimore në Antarktik regjistroi një temperaturë prej më shumë se 20 gradë Celsius për herë të parë në kontinentin jugor. Në anën tjetër të botës, Qaanaaq, në Grenlandë, vendosi një rekord të prillit prej 6 gradësh Celsius të dielën.
Në tremujorin e parë, ngrohja ishte më e theksuar në Europën Lindore dhe Azinë, ku temperaturat ishin 3 gradë Celsius mbi mesataren.
Tani nxehtësia po shpërhapet kudo. Të premten e kaluar, në Los Anxhelos u regjistrua një prill me temperature prej 34 gradë Celsius, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Australia Perëndimore ka përjetuar gjithashtu nxehtësi rekord.
Në Mbretërinë e Bashkuar, tendenca është më pak e theksuar. Temperatura maksimale ditore në Mbretërinë e Bashkuar nga fillimi i prillit deri më tani, është 3.1 gradë Celsius mbi mesataren.