27 liderë në Bruksel për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar

Krerët e 27 shteteve dhe qeverive të BE-së mblidhen në Bruksel për një samit që temë do të ketë kufizimin e emigracionit dhe kthimin e azilkërkuesve të refuzuar, siç ka ndodhur disa herë përgjatë muajve të fundit. As pakti i BE-së për azilin, i cili u miratua gjashtë muaj më parë, ende nuk i ka dhënë fund debatit. Nën trysninë e hovit që po marrin nëpër Europë partitë populiste të krahut të djathtë, por edhe një fluksi të shtuar të emigrantëve, shumë vende po kërkojnë masa më të shpejta ose veprime që shkojnë përtej rregulloreve të dakorduara.

Madje disa anëtare të BE as nuk duan t’i përdorin këto rregulla të BE. Kështu Finlanda mbylli kufijtë e saj për emigrantët nga Rusia në korrik. Qeveria holandeze e ekstremit të djathtë ka kërkuar të tërhiqet tërësisht nga rregullat e BE-së për azilin, e Hungaria synon të njëjtën gjë. Pas sulmit islamik me thikë në Solingen disa javë më parë, qeveria gjermane vendosi kontrolle në kufijtë me fqinjët e saj të BE-së, disa prej të cilëve e kritikuan fqinjin.

Berlini po ushtron presion edhe mbi Italinë dhe Greqinë për të rikthyer njerëzit që fillimisht hynë në BE atje, por më pas u zhvendosën në Gjermani. Po merr gjithmonë e më mbështetje kërkesa për rregulla më të rrepta të dëbimit. Shumica e vendeve anëtare, përfshirë Gjermaninë, po i bëjnë thirrje Komisionit të BE-së që të ushtrojë më shumë presion mbi qeveritë që nuk duan të marrin përsëri bashkatdhetarët e tyre.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka reaguar me një letër drejtuar 27 shteteve të BE-së, ku shprehej për një kuadër të ri ligjor për të përmirësuar aftësinë e BE-së për të vepruar duke përmendur edhe modelin e marrëveshjes Itali-Shqipëri me ngritjen e ngritjen e qendrave të kthimit jashtë BE-së. Edhe “Modeli i Ruandës” po diskutohet, i cili nënkupton zhvendosjen e procedurave të azilit në Afrikë. Si mund të funksionojë kjo në praktikë dhe mbi çfarë baze ligjore mbetet e paqartë.

SHKARKO APP