400 luftëtarë të Hezbollahut të vrarë në konfliktin e ri me Izraelin
Më shumë se 400 luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë që nga nisja e përballjes së re ushtarake me Izraelin më 2 mars, sipas dy burimeve të cituara nga Reuters dhe të njohura me bilancin e brendshëm të grupit.
Kjo përbën shifrën e parë të përgjithshme të publikuar për humbjet e Hezbollahut në kuadër të fushatës në zgjerim ajrore dhe tokësore të Izraelit në territorin libanez. Deri më tani, grupi ka njoftuar vetëm raste individuale të luftëtarëve të vrarë, pa ofruar një bilanc të plotë zyrtar.
Në konfliktin e mëparshëm me Izraelin gjatë viteve 2023–2024, Hezbollahu publikonte çdo ditë emrat e të rënëve dhe pas përfundimit të luftimeve deklaroi rreth 5,000 të vrarë në total. Ushtria izraelite ka dhënë një vlerësim më të lartë për humbjet e fundit, duke pretenduar se janë vrarë të paktën 700 luftëtarë të Hezbollahut, përfshirë edhe qindra pjesëtarë të njësisë elitare Radwan.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban, numri i përgjithshëm i viktimave nga sulmet izraelite dhe operacionet tokësore ka arritur në 1,142 persona. Në këtë bilanc përfshihen 122 fëmijë, 83 gra dhe 42 punonjës të sektorit shëndetësor, megjithëse nuk bëhet dallim i qartë mes civilëve dhe luftëtarëve.
Në zhvillimet më të fundit, ushtria izraelite njoftoi se një ushtar dhe një oficer janë plagosur rëndë gjatë operacioneve natën në Liban. Më herët, ajo kishte konfirmuar vdekjen e katër ushtarëve të saj në përleshjet në jug të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

