6 minuta larg uljes, avionit i mbaron karburanti në ajër
Një avion pasagjerësh i kompanisë Ryanair u detyrua të kryente një ulje emergjente në Manchester, pasi iu afrua nivelit minimal të karburantit. Ngjarja ndodhi më 3 tetor, gjatë fluturimit nga Piza drejt aeroportit Prestwick të Glasgout.
Sipas autoriteteve ajrore, avioni lëshoi një sinjal emergjence për shkak të mungesës së karburantit, ndërsa në Britani po vepronte stuhia “Amy”, me erëra që arrinin deri në 100 milje në orë.
Fluturimi FR1194, i operuar nga kompania partnere Malta Air, u përball me disa tentativa të pasuksesshme për ulje, fillimisht në Prestwick dhe më pas në Edinburg, përpara se të ulej në mënyrë të sigurt në Manchester, rreth dy orë pas përpjekjes së parë për ulje.
Sipas raportimeve paraprake, në momentin e uljes avioni kishte rreth 220 litra karburant, një sasi që mjafton për rreth 5 deri në 6 minuta të tjera fluturimi. Kjo është nën kufirin e “rezervës minimale të detyrueshme” për një Boeing 737-800, që kërkon të paktën 30 minuta karburant rezervë për fluturim të sigurt.
Ryanair ka konfirmuar incidentin dhe ka njoftuar se po bashkëpunon me autoritetet kompetente për hetimin e ngjarjes.
“Ryanair e raportoi çështjen tek autoritetet përkatëse më 3 tetor. Meqë hetimi është ende në zhvillim, nuk mund të japim komente të mëtejshme,” thuhet në deklaratën e kompanisë.
KOHA JONË SONDAZH

