7 vjet burg për babain që shiti vajzën e tij për 6000 euro
Pas mbajtjes së diskutimit kryesor në të cilën janë nxjerrë prova materiale dhe verbale, në Gjykatën Penale të Shkupit është publikuar aktgjykimi me të cilin i akuzuari T.D. është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Tregtim me fëmijë” nga neni 418-g paragrafi 1 nga Kodi Penal dhe është dënuar me burg prej 7 vjetëve, informojnë nga Prokuroria.
Rasti ka ndodhur në vitin 2013-të kur T.D., me dhunë e ka martuar 17-vjeçare dhe e ka shitur për 6.000 euro në një familje në Slloveni.
E dëmtuara, e mitur, 17-vjeçare nga ana e familjes së saj është trajtuar si objekt për shitje, për çka gjykata kompetente në Maribor, në dhjetor të vitit 2015-të e ka dënuar bashkëshortin dhe prindërit të tij dhe u ka shqiptuar dënim me burg efektiv.
Për rastin, Prokuroria sllovene e ka njoftuar Prokurorinë Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Prokurori kompetent ka filluar hetimin për rastin kundër babait të së dëmtuarës me ç’;rastë janë siguruar prova dhe janë këmbyer informata.
Gjatë hetimit është konstatuar se prindërit e vajzës janë marrë vesh për martesën dhe babai i të miturës ka dhënë pajtueshmëri që t’ia jep për para një njeriut që për herë të parë e sheh, ndërkaq kur e mitura ka kundërshtuar, i akuzuari e ka sulmuar fizikisht dhe me dhunë e ka martuar.