Agjencia Europiane e Barnave tregon kur do të kemi vaksinën për COVID-19

Rregullatori i barnave i Bashkimit Europian ka vlerësuar se do të duhet një vit para se një vaksinë për COVID-19 të vihet në dispozicion për përdorim të gjerë.

“Agjensia Europiane e Barnave vlerëson se mund të duhet një vit para se një vaksinë kundër Covid-19 të jetë gati për aprovim dhe të jetë e disponueshme në sasi të mjaftueshme për të mundësuar përdorim të gjerë dhe të sigurt,” raportoi ekzekutivi i BE-së në një dokument strategjie të botuar të mërkurën.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka pohuar më parë se një vaksinë mund të dalë në treg “para vjeshtës”, pas një takimi me drejtuesit në kompaninë gjermane CureVac, një nga shumë organizata që punojnë për një vaksinë.

BE tashmë ka premtuar më shumë para për hulumtimin e vaksinave, si dhe shpejtimin e hapave të zakonshëm rregullatorë, siç janë provat klinike dhe autorizimet.

Deklarata ishte pjesë e një raporti të hartuar si një udhërrëfyes për heqjen e masave bllokuese që ka sjellë Covid-19. Komisioni, i cili nuk ka fuqi të heqë masat e mbylljes së kufijve ose të rihapë dyqanet dhe bizneset, po këshillon vendet të marrin parasysh tre faktorë përpara se të lehtësojnë kufizimet.

Përparimi i sëmundjes – a ka një ulje të vazhdueshme të numrit të infeksioneve të reja, shtrimeve në spital dhe pacientëve në kujdesin intensiv?
Kapaciteti i sistemit shëndetësor – a mund të përballojnë sistemet e kujdesit shëndetësor ndonjë rritje në të ardhmen nëse masat lehtësohen?
Monitorimi – a ka vendi programet e “testimit në shkallë të gjerë” për të zbuluar dhe monitoruar përhapjen e virusit?
Von der Leyen gjithashtu u bëri thirrje vendeve të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe Brukselin përpara se të hiqnin masa për të shmangur pasojat e padëshiruara, të tilla si një rritje e blerësve ndërkufitar nëse hiqen kufizimet në njërën anë të kufirit dhe jo në një tjetër.

“Mungesa e koordinimit në heqjen e masave kufizuese rrezikon të ketë efekte negative për të gjitha shtetet anëtare dhe krijimin e tensioneve politike.”, paralajmëroi raporti.

SHKARKO APP