Agjencia evropiane: Ndotja e mjedisit shkakton 13% të vdekjeve në Evropë

Luftimi i ndotjes së mjedisit është kyç për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve në Evropë, veçanërisht për grupet e ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit më të varfër, tha Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).

Ndotja e mjedisit u përmend si shkaktare e 13 për qind të vdekjeve në Evropë, duke kontribuar në sëmundje jo-ngjitëse të tilla si kanceri dhe sëmundjet e zemrës, tha Agjencia.

Vlerësimi i EEA-së për shëndetin dhe mjedisin, vuri në dukje se ndotja e ajrit ishte “faktori kryesor i mjedisit që nxit sëmundjet”.

Mbi 400.000 vdekje të parakohshme çdo vit në BE janë pasojë e ndotjes së ajrit, tha agjencia me bazë në Kopenhagë, duke vënë në dukje lidhjet me sëmundjet e frymëmarrjes dhe kardiovaskulare.

Edhe zhurma në mjedis ka ndërlidhje me çështje të shumta shëndetësore, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe madje edhe vdekjen e parakohshme.

Ekspozimi afatgjatë ndaj zhurmës mjedisore shkakton rreth 12.000 vdekje të parakohshme çdo vit në rajonin Evropian, tha agjencia, duke theksuar se transporti rrugor ishte një burim kryesor i zhurmës, transmeton DPA.

Shumë sëmundje kronike jo vetëm që zvogëlojnë jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës së pacientit, ato gjithashtu paraqesin një barrë për familjet e tyre, komunitetet dhe sistemin shëndetësor, tha autorja kryesore e raportit, Catherine Ganzleben.

SHKARKO APP