Alarm për bombë në “German Next Model”, mbyllet spektakli

Dështon finalja e madhe e spektaklit të famshëm “German Next Topmodel” pas një alarmi për bombë, por edhe dyshimeve për një valixhe të vendosur në ambientet ku po zhvillohej eventi.

Një grua, e paidentifikuar, telefonoi në orën 09:00 me kohën lokale, duke njoftuar se në ambjentet e shfaqjes ishte vendosur një bombë, duke bërë që organizatorët të ndërpresin gjithçka dhe të evakuojnë menjëherë të gjithë personat e pranishëm aty.

Autoritetet njoftuan se evakuimi i audinecës prej 8 deri në 10 mijë persona nga spektakli i drejtuar nga modelja e famshme Heidi Klum në SAP arena u bë në qetësi të plotë dhe pa kaos.

Sipas policisë së qytetit Mannheim, përveç telefonatës anonime për bombë , një valixhe e dyshimtë e vendosur në afërsi të tualeteve rriti edhe më tej alarmin.

Media lokale raportoi se Klum, vajza e saj Leni dhe juria e emisionit u evakuuan të parët dhe u vendosën në një vend të fshehtë jashtë qytetit.

“Për fat të keq nuk mundëm të festonim siç e kishim planifikuar finalen e madhe, deklaroi supermodelja Klum në rrjetin social Facebook, duke shtuar se fituesi i konkursit do të shpallet brenda disa ditësh.

Top-modelja gjermane vitet e fundit është përballur me kritika të ashpra për promovimin e idealeve jo reale të bukurisë fizike në “Reality show” të ndryshëm që ajo organizon në televizionet gjermane.

SHKARKO APP