Analiza nga Zëri i Amerikës: Votuesit aziatiko-amerikanë me pikëpamje të ndryshme politike

Që nga viti 2020, aziatiko-amerikanët kanë qenë grupi i votuesve me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrës Kërkimore Pew. Në vitin 2022, Kalifornia kishte numrin më të madh të aziatiko-amerikanëve me të drejtë vote në Shtetet e Bashkuara, e pasuar nga Nju Jorku dhe Teksasi. votuesit aziatiko-amerikanë kanë potencial të madh, por ata gjithashtu ndeshen me një sërë sfidash. Në Hjuston të Teksasit ka një larmi ushqimesh dhe kulturash aziatike. Një numër i madh aziatiko-amerikanësh jeton në zonën e gjerë të Hjustonit, përfshirë qarkun Fort Bend, ku ata përbëjnë më shumë se 21 për qind të popullsisë. Në këtë zonë jeton edhe emigrantja kinezo-amerikane JJ Clemence. “Mendoj se asnjëra parti nuk mund të injorojë komunitetin aziatik”, thotë ajo.

Aziatiko-amerikanët janë ndër grupet etnike me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave të censusit. Pjesëmarrja e votuesve të këtij grupi ka shënuar gjithashtu rritje rekord në dy zgjedhjet e fundit presidenciale. Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris e kupton këtë dhe së fundmi ka nxjerrë dy reklama politike për të tërhequr mbështetjen e votuesve aziatiko-amerikanë. Më shumë aziatiko-amerikanë e identifikojnë veten si demokratë sesa republikanë. Një nga arsyet për këtë është fakti se më shumë se gjysma e votuesve aziatiko-amerikanë janë emigrantë. “Mendoj se politikat e zotit Trump i dëmtojnë shumë pakicat”, thotë koreano-amerikania Becky Kim.

“Shumë nga politikat e tij kanë në shënjestër jo vetëm emigrantët e paligjshëm nga Meksika, apo Amerika e Jugut, por edhe kufizimin e imigrimit legal”, thotë studiuesi Richard Murray nga Universiteti i Hjustonit. Megjithatë, një studim i vitit 2024 mbi votuesit aziatiko-amerikanë zbuloi se 22 për qind e tyre identifikohen si republikanë.

“Aziatiko-amerikanët duan një qeveri më të vogël, më shumë liri dhe taksa më të ulëta”, thotë votuesi kinezo-amerikan Daniel Wong. Sondazhi zbuloi gjithashtu se 31 për qind e votuesve aziatiko-amerikanë identifikohen si të pavarur. Por 42 për qind e votuesve aziatiko-amerikanë të anketuar thonë se nuk janë kontaktuar nga kandidatë politikë, apo një parti politike. Daniel Wong, i cili ka shërbyer në një zyrë të zgjedhjeve lokale, thotë se votuesit aziatiko-amerikanë janë pjesërisht përgjegjës për këtë.

“Nuk jemi të organizuar, nuk e kuptojmë sistemin politik amerikan. Kjo është arsyeja pse ne nuk dimë se si të bashkojmë energjitë tona rreth një qëllimi të përbashkët”, thotë ai. 15 milionë aziatiko-amerikanët me të drejtë vote janë me origjinë nga vende të ndryshme. Bashkimi i votuesve aziatikë ka qenë i vështirë. Ka qenë një sfidë edhe nxitja e tyre për të dhënë kontribute financiare për fushatat. Me këtë u ndesh edhe zoti Wong në garën për një vend në këshillin e qytetit.

“Aziatikët nuk janë mësuar të japin kontribute financiare për kandidatët politikë. Ata nuk e kuptojnë se si funksionon kjo”, thotë ai. Edhe zonja Clemence ka kandiduar për një post në qeverinë lokale. “Shoqëria aziatike, nuk është si një komunitet i krishterë. Të krishterët kanë zakon të japin. Aziatikët duhet të mësohen për këtë dhe duhet një afrim i tyre”, thotë kinezo-amerikania JJ Clemence. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, votuan rreth 60% e aziatiko-amerikanëve me të drejtë vote. Aktivistët politikë thonë se ndërtimi i marrëdhënieve me shtetasit e rinj aziatiko-amerikanë dhe edukimi i tyre rreth procesit politik do të nxisë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. /VOA/

SHKARKO APP