Andy Burnham, ”Mbreti i Veriut” që mund të udhëheqë Britaninë e Madhe
Pas më shumë se një dekade turbulencash në politikën britanike, që nisën me referendumin për Brexit në vitin 2016, Britania e Madhe po përgatitet sërish për një ndryshim në krye të qeverisë. Gara për pasardhësin e kryeministrit aktual, Keir Starmer, pritet të nisë më 9 korrik. Çdo kandidat që synon drejtimin e Partisë Laburiste duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 20% të deputetëve laburistë në Parlament. Me 403 vende aktualisht në Dhomën e Komunëve, kjo do të thotë se një kandidat duhet të mbështetet nga të paktën 81 deputetë.
Mes emrave që përfliten për këtë post, në krye të listës qëndron Andy Burnham. Politikani 56-vjeçar ka ndërtuar profilin e tij si një figurë pranë qytetarëve, me origjinë nga veriu i Anglisë dhe me një stil më pak formal se shumica e politikanëve britanikë. I lindur mes Liverpulit dhe Mançesterit, Burnham iu bashkua Laburistëve që në moshë të re, studioi në Cambridge dhe u zgjodh deputet në vitin 2001. Gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të rëndësishme qeveritare, përfshirë edhe në kabinetin e ish-kryeministrit Gordon Brown, ndërsa dy herë tentoi pa sukses të marrë drejtimin e partisë.
Pas largimit nga Westminster-i, ai u zgjodh kryebashkiak i Mançesterit të Madh, ku fitoi vlerësime për zhvillimin urban, përmirësimin e transportit publik dhe mbështetjen e çështjeve lokale. Popullariteti i tij u rrit ndjeshëm gjatë pandemisë së COVID-19, kur u përplas publikisht me qeverinë qendrore për masat kufizuese dhe financimin e rajoneve. Pikërisht atëherë fitoi nofkën “Mbreti i Veriut”.
Burnham konsiderohet si një prej figurave më të fuqishme brenda krahut të majtë të Laburistëve. Ai promovon konceptin e “Manchesterism”, një vizion politik që synon t’u japë më shumë peshë rajoneve dhe komuniteteve lokale, duke sfiduar përqendrimin tradicional të pushtetit në Londër.
Megjithatë, kritikët argumentojnë se programi i tij ekonomik nuk është ende i qartë dhe se drejtimi i një qyteti të madh nuk garanton domosdoshmërisht sukses në qeverisjen e të gjithë vendit. Pavarësisht dyshimeve, mbështetësit e shohin Burnham si një lider karizmatik dhe komunikues të aftë, që mund të sjellë një drejtim të ri për politikën britanike në vitet e ardhshme.
KOHA JONË SONDAZH

