Anija 400 metra e gjatë devijoi për shkak të rrymës së fortë ajrore, bllokohet kanali i Suezit
Një ndër rrugët më të rëndësishme tregtare në botë, kanali i Suezit, është bllokuar këtë të mërkurë si pasojë e një defekti të anijes “Ever Given”, një nga më të mëdhatë në botë.
Anija gjigante 224 mijë tonëshe është bllokuar të martën pasi pati një avari dhe humbi drejtimin si pasojë e një stuhie të madhe pluhuri, njoftuan autoritetet e Kanalit të Suezit.
Tetë anije të mëdha tërheqëse janë në punë për të zhbllokuar kanalin nga anija gjigante me një gjatësi prej 400 metrash. Autoritetet thonë se mund të ketë vonesa në kalimin e anijeve të tjera të transportit përmes Suezit, ku kalon rreth 12% e volumit të tregtisë botërore dhe është kanali që lidh Evropën dhe Azinë.
“Kjo rrit rrezikun që ne të shohim mbingarkesë shtesë në portet europiane në javën e ardhshme,” tha Lars Jensen, shefi ekzekutiv në Sea Intelligence Consulting.
Egjiptianët kanë njoftuar se do ta devijonin trafikun detar, por ishte e paqartë nëse kjo mund ta çlironte mbingarkesën.
Autoritetet e “Ever Given” kanë njoftuar se anija “dyshohet se është goditur nga një erë e fortë e papritur, duke bërë që anija të devijojë dhe aksidentalisht të shkojë në cekësirë”.
Anija është 400 m e gjatë dhe 59 m gjerësi, ndërsa mund të mbajë deri në 20,000 kontejnerë.
Një numër në rritje anijesh transporti të naftës janë mbledhur afër hyrjes së kanalit, duke pritur të kalojnë përmes. Gjatë vitit 2020, statistikat tregojnë se në Suez kaloi një mesatare prej 51.5 anijesh në ditë.