“AP”: Serbia po i kthehet sundimit të hekurt të nacionalizmit, pas tensioneve në ndeshjen me Shqipërinë
“Gjuha e urrejtjes është në rritje. Propaganda anti-perëndimore mbush valët ajrore. Gazetarët liberalë hiqen nga puna. Nacionalistët flasin për ripërcaktim kufijsh në Ballkan. Vrasjet në stilin e mafias, diçka me të cilën njihen vitet e pushtetit të Sllobodan Miloshevicit, po rikthehen. Dhe derisa Rusia dhe Perëndimi përplasen për Ukrainën, Serbia po hyn vendosmërisht në kampin e mentorit të saj tradicional – Moskës, madje edhe në kohën kur po përpiqet të avancojë rastin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkruan agjencia e njohur e lajmeve.
AP vlerëson se Serbia, “stabiliteti i së cilës është jetësor për paqe në Ballkanin e brishtë, po vëlon qëkur tensionet etnike dhe sociale shpërthyen” pas ndeshjes në futboll ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit më 2016.
Ndeshja u pezullua në minutat e fundit të pjesës së parë, për shkak të tensioneve në stadiumin e Beogradit. Retorika e zhurmshme dhe në rritje e nacionalistëve serbë, e toleruar, në mos e nxitur nga qeveria, ka nxitur te shumëkush dyshimet për kthimin e politikave të njohura të Milloshevicit, me gjithë qëndrimin pro-BE të proklamuar nga qeveria aktuale e djathtë, e udhëhequr nga kryeministri Aleksandar Vuçic”./REL