Arabia Saudite nuk ekstradon vrasësit e gazetarit
Të dyshuarit në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, do të ndiqen penalisht në Arabinë Saudite, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm saudit.
Komentet e tij vijnë pasi Turqia tha se donte të ekstradonte 18 shtetas sauditë që sipas autoriteteve janë të përfshirë në vrasje. Megjithatë, sipas BBC, duke folur në një konferencë të sigurisë në Bahrein, Adel al-Jubeir tha: “Për çështjen e ekstradimit, individët janë shtetas sauditë. Ata janë arrestuar në Arabinë Saudite, dhe hetimi është në Arabinë Saudite, dhe ata do të ndiqen penalisht në Arabinë Saudite”.
Duke folur në të njëjtën konferencë në një panel tjetër, sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Jim Mattis, tha se vrasja e Khashoggi-t ka minuar stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe se Uashingtoni do të marrë masa shtesë kundër atyre që janë përgjegjës, raporton Reuters.
Arabia Saudite fillimisht mohoi se kishte dijeni për fatin e gazetarit të zhdukur, por tashmë prokurori publik atje e përshkruan ngjarjen si një vrasje të paramenduar. Megjithatë, Rijadi mohon se familja mbretërore në pushtet është përfshirë në vrasje, për të cilën fajëson “agjentë mashtrues”.
Al-Jubeir, së bashku me ministrin e Jashtëm, Shiekh Halid bin Ahmed, Al Khalifa, tha në konferencë se shtetet e Gjirit janë duke luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e stabilitetit në rajon kundër Iranit.
“Tani kemi dy vizione në Lindjen e Mesme. Njëri është një vizioni i dritës (Arabia Saudite), ndërsa tjetri vizioni i errësirës (Irani), e cila kërkon të përhapë sektarizëm të gjithë rajonin”, tha al-Jubeir.
KOHA JONË SONDAZH

