Arrihet marrëveshja: Britania mbetet në BE
Pas diskutimesh të gjata në samitin dyditor të Brukselit në lidhje me paketën e reformimit të BE-së dhe qëndrimit të Britanisë së Madhe, është arritur marrëveshja.
Kështu, Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk, njoftoi zyrtarisht arritjen e saj, e cila e mban Britaninë e Madhe në bllokun e vendeve europiane. Marrëveshje kjo që siç njoftoi ai, ka fituar mbështetjen unanime të të gjithë vendeve anëtare të BE-së. Dhe që përmes saj, Londra zyrtare fiton një status special në Union.
Nga ana e tij, kryeministri britanik David Cameron doli para gazetarëve në Bruksel pak pasi u bë publik lajmi duke u shprehur: “Më në fund marrëveshja u arrit. Për një periudhë kohe ne e kemi nxjerrë Britaninë jashtë një Europe që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë. Britania nuk do të jetë kurrë pjesë e një Europe të përqëndruar. Falenderoj të gjithë liderët për qetësinë e treguar, vullnetin dhe asistencën e tyre”.
Tashmë, kryeministrit Cameron i mbetet të kthehet në Londër nga Brukseli, ku mëngjesin e së shtunës do të zhvillojë mbledhjen urgjente të kabinetit qeveritar për të njoftuar nisjen e fushatës së referendumit të thirrur në vendin e tij, por këtë herë thirrja do te jetë për të votuar në qershor “pro” qëndrimit në Bashkimin Europian.
Kujtojmë se marrëveshja është për një periudhë 7-vjeçare dhe do të përfshijë ndryshimin e traktateve të BE-së.
KOHA JONË SONDAZH

