Asetet e ngrira Ruse: Belgjika refuzon propozimin e BE-së për financimin e Ukrainës
Belgjika ka akuzuar Bashkimin Evropian se po “minimizon” shqetësimet e saj lidhur me planin për të përdorur asetet e ngrira ruse – të mbajtura në Evropë për mbështetjen financiare të Ukrainës, raporton BBC.
“Ne vazhdojmë të kërkojmë një alternativë, përkatësisht që BE-ja të marrë hua shumat e nevojshme në tregjet financiare,” deklaroi ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot.
Plani i BE-së, i mbështetur nga kancelari gjerman Friedrich Merz, synon që asetet shtetërore ruse me vlerë 140 miliardë euro dhe të mbajtura kryesisht në Belgjikë të shndërrohen në një “kredi dëmshpërblimi” për financimin e Ukrainës vitin e ardhshëm.
Ndërsa shumica e vendeve anëtare e mbështesin këtë skemë, disa shtete kanë kritikuar Belgjikën për bllokimin e saj. Nga ana e saj, Belgjika argumenton se një lëvizje e tillë mund të rrezikojë mundësinë e një marrëveshjeje paqeje afatshkurtër, si dhe të hapë rrugën për paditë e Rusisë në të ardhmen.
Komisioni Evropian pritet të paraqesë sot propozime për zgjidhjen e ngërçit, por sipas Prévot, dokumenti nuk i adreson siç duhet shqetësimet e Belgjikës.
Aktualisht, vendet e BE-së kanë përdorur fitimet e gjeneruara nga rreth 210 miliardë euro asete të ngrira ruse për të financuar mbrojtjen e Ukrainës që prej pushtimit të saj nga Rusia në shkurt 2022.
Udhëheqësit evropianë do të votojnë për kredinë e dëmshpërblimeve në samitin e Brukselit këtë muaj, por mbetet e paqartë nëse do të arrihet një konsensus.
Belgjika është kundërshtarja më e fortë e planit, pasi pjesa më e madhe e aseteve të ngrira rreth 185 miliardë euro ndodhen në “Euroclear”, depozituesin qendror të letrave me vlerë me qendër në Bruksel.
Qeveria belge paralajmëron se vendi mund të mbajë barrën e çdo veprimi të mundshëm ligjor nga Rusia, nëse BE-ja përdor këto asete për të financuar Ukrainën. “Nëse Rusia na çon në gjyq, ka çdo shans të fitojë, dhe Belgjika nuk do të ishte në gjendje të shlyente 200 miliardë euro sa një vit i tërë i buxhetit federal,” u shpreh Prévot, duke paralajmëruar se kjo “do të thoshte falimentim për Belgjikën”.
Kryeministri belg, Bart De Wever, i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e cilësuar planin “thelbësisht të gabuar”.
Ai ka propozuar që BE-ja t’i ofrojë Ukrainës një kredi prej 45 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm, duke shfrytëzuar mekanizma të parashikuar në buxhetin aktual të unionit me 27 vende anëtare.
KOHA JONË SONDAZH

