Australia mban 13 mln banorë në izolim

Australia ka vendosur 13 milionë njerëz, pothuajse gjysmën e popullsisë së vendit sërish në karantinë për të parandaluar përhapjen e Covid.

Rajoni i Australisë së Jugut iu bashkua të martën Viktorias dhe Uellsit të Ri Jugor, duke kufizuar lëvizjen. Dy qytetet më të mëdha të vendit, Sidnej dhe Melburnë janë duke u përballur me pasiguri se kur do të rihapen.

Shumë qytetarë janë shprehur të zemëruar që u rikthyen sërish karantinës dhe kontrolleve të rrepta policore për zbatimin e saj, ndërsa vendi njofton se ka vaksinuar vetëm 14 për qind të popullsisë, shifra më e ulët mes vendeve anëtare të OECD.

Rihapja në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rritur presionin ndaj qeverisë australiane që të ndjekë shembujt e tyre dhe Kryeministri Scott Morrison është përballur me kritika të ashpra për fushatën e ngadaltë të vaksinimit, ndërsa ai vetë u ka rezistuar thirrjeve për të kërkuar falje për keqmenaxhimin e situatës.

“Asnjë vend nuk ja ka dalë mbanë që të përballojë pandeminë 100 për qind. Mendoj se australianët e kuptojnë këtë”, tha ai para gazetarëve ditën e mërkurë.

Ai cilësoi si sukses arritjen e vendit në numrin total të infeksioneve, që është poshtë shumë vendeve të tjera, ndërsa vdekje janë regjistruar vetëm 915.

Deri më tani masat e Australisë me mbyllje kufinjsh dhe karantinë strikte rajonale janë vlerësuar si strategji e suksesshme në ngadalësimin e virusit, por agresiviteti i variantit Delta të virusit ka sfiduar këto masa në muajin e fundit.

Vetëm në Sidnej janë infektuar mbi 1500 persona me këtë variant. Të mërkurën, qyteti raportoi 110 raste të reja, pavarësisht karantinës strikte e të ashpër, që është në fuqi prej 4 javësh tashmë.

Ka frikë se izolimi mund të zgjatet deri në shtator, pas projeksioneve që tregojnë se qyteti është shumë larg së mposhturi pandeminë.

Autoritetet thonë se do të vazhdojnë me masat kufizuese të ashpra deri kur të jetë vaksinuar pjesa më e madhe e popullsisë.

Shifrat e ulta të vaksinimit nuk lidhen më shumë me mungesën e dozave se sa me refuzimin e qytetarëve. Kritikët thonë se lajmet për AstraZeneca-n, që është vaksina kryesore në Australi kanë stepur qytetarët nga ky proces.

SHKARKO APP