Australia ndaloi rrjetet sociale. Adoleshentët hapin llogari me imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale
Ndalimi i rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç në Australi hyri në fuqi pak ditë më parë, por adoleshentët e kanë gjetur shpejt mënyrën për ta anashkaluar.
Lucy Brooks, vetëm 14 vjeç, tregoi se miqtë e saj u rikthyen brenda 24 orësh në Snapchat dhe TikTok, duke përdorur llogari të reja dhe madje foto të prindërve apo imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale për të kaluar verifikimin e moshës.
Pavarësisht parashikimeve se do të zhvendoseshin drejt platformave të tjera, shumë të rinj janë rikthyer në të njëjtat aplikacione të ndaluara. Edhe verifikimi teknologjik i moshës duket i lehtë për t’u mashtruar, ndonëse kompanitë thonë se mund të zbulojnë kush i përdor realisht llogaritë.
Sipas CNN, Kryeministri Anthony Albanese e shënoi hyrjen në fuqi të ndalimit me një event në Sydney, ku morën pjesë prindër të fëmijëve të prekur nga ngacmimet kibernetike. Ndërkohë, një grup djemsh 15-vjeçarë i thanë CNN se nuk humbën asnjë llogari, thjesht kishin vendosur vit lindjeje të rreme kur u regjistruan.
Kundërshtarët e ligjit, si Leo Puglisi, 18 vjeç, themelues i 6 News, thonë se ndalimi nuk po funksionon. Ai tregon se vëllai i tij, nën 16 vjeç, vazhdon të përdorë rrjetet sociale pa asnjë pengesë. Edhe sipërmarrësi 16-vjeçar Lucas Lane paralajmëron se masa mund të dëmtojë komunitetin e të rinjve dhe bizneset e vogla që varen nga platformat online.
Ndërkaq, rrjetet e tjera po shihen si alternativa, por shumica e adoleshentëve raportojnë se llogaritë e tyre ekzistuese nuk janë prekur. Shar, një 15-vjeçare me 4,000 ndjekës në TikTok, thotë se asnjë prej profileve të saj nuk është mbyllur, edhe pse ka deklaruar moshën e vërtetë.
Megjithatë, pasiguria po krijon ankth. Lucy tregon se shumë miq të saj frikësohen se mesazhet dhe fotot private mund t’u bllokohen papritur. Ajo vetë shpreson të mbajë Instagramin, pasi si nxitëse tifozësh dëshiron të ndjekë postimet ku shfaqet imazhi i saj.
Lucy beson se përmbajtja problematike duhet të kontrollohet, por jo përmes një ndalimi total. Ajo sugjeron kufizime kohore si një zgjidhje më efektive: “Një deri në dy orë në ditë do të ishte e drejtë,” thotë ajo, ndonëse dyshon se ligji aktual do të japë rezultat.
KOHA JONË SONDAZH

