Babagjyshi i vërtetë, prej 50 vitesh bën lodra për fëmijët në nevojë
Një 80-vjeçar amerikan, muajt e fundit të vitit i ka shumë të zënë duke krijuar lodra druri që më pas ia dhuron fëmijëve në nevojë.
Jim Annis ka 50 vite që çdo Krishtlindje u shpërndan të vegjëlve lodrat që i bën vetë, pasi familjet e tyre nuk kanë mundësi që të blejnë dhurata.
“Në Lee County japin ushqime dhe rroba për njerëzit në nevojë, unë jap lodrat e mia”, tregon Annis, i cili shpenzon rreth 1000 dollarë në vit për të krijuar lodra.
“E bëj këtë sepse e di se çfarë do të thotë të mos marrësh dhuratë për Krishtlindje. Babai im punonte shumë, por fitonte pak dhe ishte e vështirë për të që të kënaqte 5 fëmijë”, tregon 80-vjeçari.
Ai e ka ruajtur këtë traditë për 50 vjet dhe shpreson ta mbajë edhe 50 vjet të tjera.
“Më pëlqen kur njerëzit më pyesin se sa paguaj unë për bërjen e këtyre lodrave. Unë u them atyre se paga ime është kur shoh buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve. Shpresoj të jem në gjendje ta bëj këtë derisa gishtërinjtë e mia të përkulen”, thotë ai.
Babagjyshi i vërtetë i Krishtlindjes ndodhet në Amerikë.