Bakojanis shigjeton Tispras: Ç’bisedove fshehurazi me Ramën?

Ish­-ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis ka denoncuar në parlamentin grek takimin mes kryeministrit grek, Aleksis Tsipras dhe homologut të tij shqiptar, Edi Rama.

Duke iu drejtuar personalisht kryeministrit Tsipras, deputetja e Demokracisë së Re, e cila hodhi firmën mbi marrëveshjen detare kur ishte ministre e Jashtme, e pyeti mbi përmbajtjen e takimit me me kryeministrin shqiptar që u zhvillua në Nju Jork javën e kaluar, duke kërkuar të dijë nëse mes dy kryeministrave është diskutuar për kufirin detar dhe marrëveshjen e mbetur pezull mes dy vendeve.

“Çfarë diskutuat, përveç eksperiencave të basketbollit siç pamë ekranet televizive… Marrëveshja për zonat ekskluzive ekonomike me Shqipërinë, a u shtrua në tryezën e bisedimeve? Dhe nëse po, cili ishte rezultati”, tha Bakojanis.

Gjithsesi, Tsipras, në një ndërhyrje për politikën e jashtme, nuk iu përgjigj deputetes së opozitës, por deklaroi se qeveria ka një plan ambicioz për fuqizimin e rolit të vendit në rajon.

Në sancën e djeshme qeveria e kryesuar nga Aleksis Tsipras ka marrë votëbesimin nga 155 deputetët e maxhorancës qeveritare. Në votimin që zgjati deri në orët e para të së enjtes morën pjesë 299 deputetë dhe 144 prej tyre votuan kundër programit qeveritar të prezantuar nga Tsipras.

Vetë Tsipras, deklaroi optimizmin e tij për daljen e vendit nga kriza gjatë katër viteve të ardhshëm.

“Ky mund të jetë parlamenti dhe 4 vjeçari i daljes nga kriza dhe rimëkëmbjen e ekonomisë, megjithë vështirësitë e mëdha që kemi përpara”, deklaroi kryeministri grek, në mbyllje të debatit parlamentar që zgjati tri ditë. Tsipras u bëri thirrje partive parlamentare që të bashkohen në atë që ai e cilësoi si “përpjekje kombëtare” për daljen nga kriza. Mirëpo apeli i tij është refuzuar njëzëri nga opozita, që ka përdorur tone mjaft të ashpra në kritikat ndaj programit të qeverisë. 

SHKARKO APP