Banka Qendrore Europiane: 750 miliardë euro kundër Covid-19
Për ti ardhur në ndihmë vende të prekura nga Covid-19, Banka Qendrore Europiane ka bërë me dije një paketë të gjerë masash prej 750 miliardë eurosh për të lehtësuar impaktin e pandemisë së koronavirusit. Ajo do të përdoret për blerjen e borxhit të qeverive dhe kompanive rreth eurozonës, përfshirë ato të Greqisë dhe Italisë.
Shefja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, njoftoi në një postim në Twitter se institucioni i drejtuar prej saj do të bënte gjithçka të mundur për të mbështetur euro në këtë periudhë të vështirë. “Kohërat e jashtëzakonshme kërkojnë veprime të jashtëzakonshme. Nuk ka limite në përkushtimin tonë ndaj euros”.
I ashtuquajturi programi i blerjes së emergjencës pandemike, vjen vetëm 6 ditë pasi Banka Qendrore Europiane prezantoi një sërë masash që nuk arritën dot të qetësonin tregjet, duke shtuar trysninë për më shumë mbështetje ndaj ekonomive europiane. Skema do të jetë e përkohshme dhe do të mbyllet pasi banka qendrore europiane të vlerësoje se kriza nga Covid-19 ka marrë fund, e megjithatë jo përpara fundit të vitit.