BDI: Do mbetemi në qeveri, asnjë ministër nuk dorëhiqet
BDI do të mbetet në qeveri dhe asnjë nga ministrat e kësaj partie nuk do të japin dorëheqje, ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i BDIsë, Abdilaqim Ademi, duke përgënjeshtruar lajmet e transmetuara nga mediat në Maqedoni se BDI do të largohej këtë të mërkurë nga koalicioni qeveritar duke pasuar dorëheqjet e disa ministrave maqedonas.
“As unë dhe asnjë ministër shqiptar nuk kemi dhënë dorëheqjen ndryshe nga kolegët tanë maqedonas. Në seancën e së mërkurës qeveria do të zëvendësojë ministrat e dorëhequr”tha ai për mediat shqiptare.
Ndërkaq, nënkryetari i Parlamentit Europian, Aleksandër Lambsdorf, i ka kërkuar kryeministrit Gruevski, të japë dorëheqjen duke kontribuar kështu për zgjidhjen e krizës.
“Kryeministri Nikolla Gruevski patjetër duhet të tërhiqet, pasi është pengesë për uljen e tensioneve etnike, që janë rindezur sërish. Pa një aksion të shpejtë, rajoni sërish do të jetë pranë një lufte qytetare.”theksoi nënkryetari i PE-së, Lambsdorf.