BE: Brexit njësoj si ngjitja në mal, duhet durim
Bashkimi Europian i ka krahasuar bisedimet me palën britanike për Brexit si një “ngjitje në mal”, por vlerëson se ditët e fundit janë hedhur hapa konstruktivë për marrëveshje. Kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk, kujton se kanë mbetur vetëm tri javë nga divorci me britanikët, dhe duhet përdorur çdo hapësirë.
Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kanë hedhur hapa konstruktivë për arritjen e një pakti rreth Brexit.
Pas takimit me homologun britanik, Stefen Barkli, kryenegociatori i BE-së, Mishel Barnie, tha të premten se zgjidhjet mund të gjenden nëse ka vullnet.
“Brexit është njësoj si ngjitja në mal. Duhet vigjilencë, vendosmëri dhe durim,” u shpreh Barnie.
Zhvillimet pasojnë takimet që kryeministri Boris Xhonson pati të enjten në Irlandë.
Kryeqeveritari i vendit, Lio Varadkar, tha se takimi ishte pozitiv, dhe shkëputja e Britanisë nga BE-ja mund të ndodhë tani nëse pajtohen edhe për çështjen e kufijve.
Londra ka propozuar që deri në vitin 2021, provinca angleze e Irlandës Veriore të kufizohet me shtetin e Irlandës sipas rregullave të BE-së.
Kontrollet e mëvonshme në dogana për mallrat dhe njerëzit do caktoheshin politikisht nga Irlanda Veriore.
Presidenti në largim i Këshillit Europian, Donald Tusk, gjatë një vizite në Qipro u tregua i matur me palën britanike.
Tusk i vlerësoi sinjalet e orëve të fundit por kujtoi se suksesi nuk është i garantuar në tri javët e mbetura.
Britania e Madhe ka planifikuar daljen me çdo kusht nga familja europiane më 31 tetor.
Arritja e një kompromisi përfundimtar pritet të mësohet në samitin e javës së ardhshme në Bruksel.