“BE marrëveshje me Pfizer për 300 milionë doza të vaksinës për Covid-19”
Bashkimi Evropian do të nënshkruajë së shpejti një kontratë me kompaninë amerikane Pfizer dhe BioNTech për të siguruar 300 milionë doza të vaksinës, në testim e sipër, për Covid-19.
Lajmin e dha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një postim në mediat sociale.
“KE shumë shpejt do të firmosë një kontratë me Pfizer e BioNTech për të siguruar të paktën 300 milionë doza të vaksinës anti-Covid”, shkroi von der Leyen.
Të hënën drejtuesi i Pfizer njoftoi se vaksina ka rezultuar 90 për qind efektive dhe ky lajm është pritur me shpresë dhe entuziazëm në shumë vende të botës pasi erdhi në një moment kur vala e dytë e pandemisë po detyron shumë vende të mbyllen.
Po ashtu, Von der Leyen, si edhe disa prej liderëve të vendeve më të mëdha, u kërkoi qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën pasi që vaksina të dalë në treg duhen ende disa muaj.