BE nuk përjashton shtyrjen e brexit

E ardhmja e Brexit-it mbetet në fokusin e Parlamentit Europian dhe atij britanik. Ndërsa pala europiane shpreh zhgënjim që s’mundi ta ndalë largimin e partnerit kryesor, në Londër pritet votimi në parim i legjislacionit për shkëputjen finale brenda 9 ditëve.

Kreu i Komisionit Europian, Zhan Klod-Junker e ka konsideruar një humbje kohe dhe energjish tentativën e Britanisë së Madhe për largimin nga BE-ja.

“Shumicën e mandatit tim e kalova me Brexit kur duhet të mendoja se si unioni ynë duhej të vepronte në të mirë qytetarëve – një humbje kohe dhe energjish,” deklaroi të martën presidenti në largim i ekzekutivit europian.

I pranishëm në seancën e Parlamentit Europian ishte edhe shefi i Këshillit, Donald Tusk, për të cilin shtyrja sërish e Brexit-it mbetet një mundësi realiste.

“Po konsultohem me liderët e BE-së dhe do vendosim në ditët në vijim. Rezultati do të varet shumë nga vendimi pro ose kundër i parlamentit britanik,” u shpreh Tusk në lidhje me kërkesën e qeverisë britanike për ta shtyrë Brexit-in deri më 31 janar 2020.

Në Londër, ligjvënësit e vendit u mblodhën të martën për të votuar dy mocione për diskutimin dhe votimin në parim të legjislacionit për daljen nga BE-ja, çka do i jepte marrëveshjes me Brukselin fuqi ligjore.

Kjo përpjekje e kryeministrit Boris Xhonson u refuzua të hënën nga kryetari i Kuvendit.

Marrëveshja e fundit zgjidh ngërçin për kufijtë doganorë mes Irlandës dhe provincës angleze të Irlandës Veriore dhe raportet e mëtejshme tregtare.

Mazhoranca vlerëson se ka numrat e duhur për ta votuar dhe për të dalë nga BE-ja më 31 tetor, ndërsa opozita është shprehur se do votojë kundër.

SHKARKO APP