BE sjell kontrolle të reja kufitare, udhëtarët paralajmërohen për pritje më të gjata
Sistemi i ri i Hyrjeve dhe Daljeve (EES) i Bashkimit Evropian ka sjellë ndryshime të rëndësishme në procedurat kufitare, duke shkaktuar rritje të kohës së kontrollit të pasaportave për udhëtarët nga vendet jashtë BE-së, përfshirë shtetasit britanikë.
Aeroportet dhe kompanitë ajrore kanë paralajmëruar se gjatë sezonit turistik mund të ketë pritje më të gjata për shkak të zbatimit të teknologjisë së re. Në aeroportin Fiumicino të Romës, drejtori i aviacionit Ivan Bassato bëri të ditur se koha mesatare e procesit të kontrollit është rritur nga rreth 7 minuta në afërsisht 20 minuta. Sipas tij, edhe pse sistemi është përmirësuar dhe është integruar me portat elektronike, ai ende nuk arrin shpejtësinë e procedurave të mëparshme.
Edhe kompania ajrore Ryanair u ka kërkuar pasagjerëve që të llogarisin më shumë kohë për kalimin e kontrolleve kufitare, pasi në disa aeroporte janë krijuar radhë të gjata dhe vonesa.
Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në aeroportin e Faros në Portugali, ku autoritetet kanë pranuar se sistemi mund të përballet herë pas here me vështirësi teknike. Sipas tyre, kontrollet që më parë përfundonin brenda 10 minutash, në disa raste mund të zgjasin mbi 30 minuta, veçanërisht kur disa fluturime mbërrijnë në të njëjtën kohë.
Komisioni Evropian ka deklaruar se problemet mbeten të kufizuara në disa pika kufitare dhe se po bashkëpunon me vendet anëtare për zbatimin sa më efikas të sistemit.
EES është një platformë dixhitale që regjistron hyrjet dhe daljet e qytetarëve nga vende jashtë Bashkimit Evropian në zonën Shengen. Sistemi kërkon marrjen e të dhënave biometrike, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografitë, të cilat verifikohen gjatë udhëtimit.
Në disa aeroporte, si në Romë dhe Barcelonë, udhëtarët kanë raportuar pritje nga 45 minuta deri në dy orë, duke shkaktuar edhe humbje fluturimesh.
Drejtuesit e aeroporteve kërkojnë optimizim të mëtejshëm të sistemit dhe thjeshtim të procedurave për të shmangur vonesat gjatë periudhave me fluks të lartë udhëtarësh.
KOHA JONË SONDAZH

