Beteja Presidenciale, gazetarja e CNN tregon se çfarë po ndodh tek konventa e demokratëve

Për të mësuar më shumë mbi konventën e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, performancën e dyshes pretendente për presidencën, pikat e forta dhe pritshmëritë në vijimësinë e garës për Shtëpinë e Bardhë, producentja e lajmeve ndërkombëtare në A2, Rosalba Bejdo, bisedoi me gazetaren e CNN, Karin Caifa.

Fjalimi i Jo Biden kulmoi konventën demokrate. Pritshmëritë ishin të larta. Ai i përmbushi ai?

Ishte një fjalim ndryshe ai i Joe Biden. Zakonisht do ta mbante fjalimin përpara një turme të madhe njerëzish. Por, tani ai pati mundësinë t’u fliste votuesve një më një, duke mbërritur në shtëpitë e tyre. Kjo është një mënyre e rehatshme për t’u lidhur me votuesit, kështu në një farë mënyre këtë here ishte ndryshe. Joe Biden nuk ju referua presidentit Trump me emër dhe duket se dëshiron ta ndjekë një qasje të tillë deri në ditën e zgjedhjeve. Ai po përpiqet të tregojë se nuk ka asgjë personale këtu dhe gjithçka bëhet për të mirën e Amerikës. Biden dhe Kamala Harris duan të prezantojnë veten ndryshe nga dyshja Trump-Pence, duke folur për gjëra si diversiteti, gjithëpërfshirja, empatia dhe ai për të cilin Biden foli gjatë në fjalimin e së enjtes, karakteri.

Ishte një konventë e pazakontë, virtuale, pa audiencë. Pati edhe shumë pika të forta, mbështetje të emrave të mëdhenj. Mund të na përmendni disa…?

Edhe pse pjesëtarët e partisë nuk ishin të gjithë bashkë brenda një skene, ne dëgjuam fjalime nga disa prej emrave më të mëdhenj të partisë demokrate; ish-presidenti amerikan Barack Obama, ish-kandidatja për presidencën në 2016 Hillary Clinton, ish-presidenti Bill Clinton dhe Jimmy Carter. Të gjithë ata folën në mbështetje të Biden dhe disa patën kritika të drejtpërdrejta për Donald Trump dhe presidencën e tij. Është e rrallë të dëgjosh ish-presidentë që flasin në mënyrë kaq agresive, ashtu siç bëri Barack Obama mbrëmjen e kaluar. Kjo tregon se sa të rëndësishme dhe urgjente janë zgjedhjet e ardhshme për demokratët, ndërsa Amerika përballet me pandeminë e koronavirusit dhe pasojat e rënda në ekonomi.

Sa e fortë është dyshja Biden-Harris? Çfarë thonë sondazhet dhe a do të ketë performancë e tyre në konventë një rol.

Do duhet të presim edhe pak pasi kjo konventë ishte krejtësisht e ndryshme nga ato të mëparshmet. Zakonisht, këtu në SHBA flasim për një hov të mbështetjeve pas konventës, ndërsa secila parti është në qendër të vëmendjes përgjatë një jave. Por, ka shumë gjëra të tjera që po ndodhin në SHBA aktualisht, e që marrin vëmendjen e votuesve. Ne nuk e dimë nëse amerikanët kishin interes për konventën; dimë që shumë njerëz e kanë parë në televizion apo internet por duhet pritur. Sa i përket dyshes Biden-Harris, ata erdhën në këtë konvente me përparësi në sondazhe ndaj Trump dhe Pence. Sipas sondazheve, demokratët janë në avantazh me 4 deri në 11 përqind. Do të shohim nëse performanca në konventë do t’i ndihmojë të rrisin mbështetjen, por javën tjetër do të jetë radha e republikanëve, me presidentin Trump dhe zëvendësin e tij Pence që kanë nisur tashmë të parashtrojnë argumentet kundër kandidatëve demokratë.

Kamala Harris ka qenë një kritike e zëshme e Biden gjatë zgjedhjeve paraprake. Pse e zgjodhi ai atë si partnere në garë?

Kjo, në fakt, ishte një dinamikë e pazakontë, por Harris tha në fjalimin e saj se është tepër entuziaste dhe e nderuar që bëhet gruaja e para me ngjyrë e cila garon për një post të tillë. Konventa e kësaj jave kishte të bënte kryesisht me bashkimin e demokratëve. Nëse e keni ndjekur betejën e tyre në zgjedhjet paraprake të partisë, ishin dhjetëra pretendentë qe garonin për emërimin e partisë për presidencialet e nëntorit. Partia, në atë kohë, dukej e përçarë me kandidatët që kishin opinione shumë të ndryshme për çështje si kujdesi shëndetësor, ekonomia dhe të barazia në të ardhura. Prandaj, kjo është një partia që duhet të shërojë veten. Dëgjuam pak nga kjo nga kandidatë që vërtet e rivalizuan Joe Biden si Bernie Sander dhe Elizabeth Warren nga krahu më konservator i partisë. Edhe Kamala Harris kishte opinione të ndryshme me Biden kur kandidonte për presidencë, por ata të gjithë u bashkuan dhe premtuan të punojnë të bashku, siç do të deshën edhe zyrtarët e lartë demokratë; për të mirën e partisë. Shumë prej tyre thonë, fillimisht duhet të mundim presidentin Trump dhe pastaj mund të fillojnë të flasin për mënyrat se si do të vazhdojnë përpara, edhe pse janë të përçarë për shumë çështje.

SHKARKO APP