Biden: Do të bëjmë 100 milionë vaksina në 100 ditët e para të qeverisë
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka prezantuar synimin e tij për 100 miliona vaksina për koronavirus, në 100 ditët e para të udhëheqësisë së tij.
Ai ka thënë se muajt e tij të parë në zyrë nuk do ta ndalin pandeminë dhe ka dhënë detaje për planin e vaksnimit, mirëpo ka thënë se do të ndryshojë kursin e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
“Njëqind ditët e mia të para nuk do ta ndalin koronavirusin. Nuk mund të premtoj për këtë. Mirëpo nuk jemi përfshirë në këtë kaos shpejt. Nuk do të dalim shpejt”, ka thënë ai nga vendlindja e tij në Delauer, shkruan Rel.
Teksa ka prezantuar ekipin e tij shëndetësor kur të marrë detyrën më 20 janar, ai u ka bërë thirrje amerikanëve “që të vendosin maska për 100 ditë”.
Të martën, një raport i ka hapur rrugën kompanisë amerikane, Pfizer dhe asaj gjermane, BioNTech për miratim të vaksinave për amerikanët.
Autorizimi urgjent për vaksinim, nëse miratohet, nënkupton se imunizimi i njerëzve mund të nisë nga java e ardhshme.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 15 milionë raste dhe 285,000 viktima me koronavirus, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Shumë pjesë të territorit amerikan janë duke raportuar për shifra rekorde të infektimit dhe atyre që janë të shtrirë në spital.
Shumë ekspertë janë duke fajësuar udhëtimet e miliona personave për Festën e Falënderimeve për rritjen e shpejtë të infektimit.