Blendi Fevizu, letër ministres së Brendshme të Maqedonisë?

 


Letër publike për Ministren e Brendshme Jankullovska!
Nga Blendi Fevziu
Emisioni Opinion – Tv Klan Tiranë
Zonja Ministre e Republikës së Maqedonië,
Nuk jam nënshtetas i republikës suaj, por si njeri që ndan të njëjtën kombësi dhe gjak me popullatën e terrorizuar të Kumanovës, si një gazetar që i ka ndjekur zhvillimet në Maqedoni që në 1992 dhe si njeri që befasohet nga heshtja e liderëve politikë të Maqedonisë, qofshin këta edhe shqiptarë, doja t’ju drejtohesha drejpërdrejtë me disa pyetje. Pyetje që në këtë moment më duken tejet të rëndësishme për të kuptuar mënyrën e funksionimit të Ministrisë suaj dhe Republikës së Maqedonisë.
Si e shpjegoni që një operacion kundër disa terroristëve që kërcënonin rendin kushtetues në Maqedoni zhvillohet në mes të një lagjeje të populluar, pa asnjë paralajmërim dhe pa evakuar më parë popullsinë civile!? Nuk qenë terroristët ata që nisën aksionin, gjë që do ju detyronte të përgjigjeshit, por ju! Dhe e nisët në një lagje me 40 mijë banorë.
Ju jeni juriste. Në cilin vend të globit goditet me të gjitha llojet e armëve kundër një lagjeje të tërë, në godinat e dritaret e së cilës jetojnë njerëz të pafajshëm, pleq e fëmijë që janë ende sot tejet të terrorizuar! Asnjë regjim barbar nuk do ta bënte këtë pa evakuar më parë civilët.
Si mund të ndërhyet në një zonë të banuar, pa mësuar më parë se sa persona ka grupi terrorist dhe sa armë ka ai në dispozicion? Dje deklaruat se nuk e prisnit që ata të kishin aq shumë armë?! Po nëse ata do të kishin me vete dhe do aktivizonin lëndë plasëse, a e mendoni që bilanci do të ishte tragjik dhe jetë të pafajshme do blatoheshin për ti dhënë më shumë madhështi operacionit tuaj?!
Duke filluar një sulm me popullatën aty, a menduat ju zonjë që terroristët mund të merrnin pengje dhe gjendja të bëhej më dramatike!? A e mendoni që kjo mund të kthehej në një histori e frikshme nga ato që Ballkani, me gjithë krimet e tij, nuk ka parë aq shumë?
Së dyti, si hynë këta terroristë në Maqedoni? Kur e morët këtë informacion? Përse nuk u ndaluan që në fillim, por u lanë të depërtojnë në mes të një lagjeje të populluar?! Si i futën armët e rënda aty dhe përse policia juaj kaq e gatshme të qëllonte në mes të qytetit nuk ishte në gadishmëri gjatë gjithë kohës që ata u transferuan aty?
A mendoni që 22 viktima, banorë civilë apo policë, kanë humbur jetën prej një operacioni që më shumë duket se synon bujën mediatike dhe trembjen e popullatës se sa eleminimin e një grupi terroristësh. 
Personalisht jam kundër cdo grupi që synon destabilizimin me armë; jam kundër atyre që bëjnë dhunë, por kam vetëm një pyetje për ju: a do të ndodhte kjo nëse ai grup do të gjendjes në një lagje të banuar me Maqedonas? Thënë ndryshe, a vlen zonjë për ju jeta e një qytetari të etnisë shqiptare sa ajo e një qytetari të kombësisë Maqedonase? A kanë të njëjtën vlerë jetët e njerëzve në Republikën Multietnike të Maqedonisë.
Përgjigjen po jua jap vetë: Druaj se jo!
Gjatë gjithë ditës dje jam munduar të kuptoj atë që po ndodhte. Nuk mund t’i jepja shpjegim sjelles suaj, veçse duke thirrur në ndihmë disa përgjime telefonike në të cilat ju shprehnit lirshëm konsideratat tuaja për shqiptarët. Janë konsiderata nga ato që ndahen në biseda mes miqsh, të lirshme, në konfidencë dhe shumë të ndryshme e më të sinqerta se sa ato që deklarohen në konferenca mbi bashkëjetesën etnike. Ju dëgjova që i quanit shqiptarët “indianë” (duke ju referuar popullisë indigjene native të Amerikës së Veriut) dhe “fis i egër”! Kam mbetur shumë i befasuar, i zhgënjyer, por edhe tejet shpërfillës. E dini përse? Sepse gjithë konstatimi juaj ishte paragjykim, paragjykim i pastër që të çon fare thjeshtë në racizëm. Dua t’ju them zonjë se nëse nuk e kemi mësuar ndonjëherë në shkollë, paragjykimi është vula identitare e injorantit! Më vjen keq për injorancën e shprehur në këtë rast, por po ju bëj me dije disa gjëra që në çdo vend të botës do kishin ngritur peshë opinionin intelektual.
Të identifikosh shqiptarët me “indigjenët e Amerikës” do të thotë të revokosh sjelljen ndaj tyre. E dini cila ishte sjellja ndaj tyre? Zaptimi i territoreve, përzënia me dhunë nga trojet e tyre, shfarrosja dhe izolimi. Marzhinalizimi i plotë në shoqëri, për t’i përjashtuar nga çdo gjë. A besoni zonja Ministre se kjo do të ishte sjellja më e mirë ndaj shqiptarëve dhe a është ky krahasimi i duhur nga një Ministre e një Republike që pretendon të ngrihet mbi marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe barazinë e të gjithë shtetasve të saj?
Nëse keni pasur parasysh këtë, jeni shumë e gabuar! Shqiptarët janë element shtetformues në Maqedoni dhe ai shtet nuk do të mund të quhet kurrë i tillë nëse ju do mendoni dhe jo të tentoni t’i përjashtoni nga të drejtat e tyre. Kam qenë në Maqedoni në Marsin e 2001 dhe e kam parë se këtë vendim nuk e keni marrë me dëshirë, por me imponim. Nëse nuk do dini të ngrini një shtet multietnik, ky është dështimi juaj.
Së dyti, ju siguroj se sjellja ndaj “indigjenëve të Amerikës” mbetet ende turpi historik i atij vendi. Sot vetë amerikanët kanë dënuar njëzëri politikat e 200 viteve më parë dhe çdo fjalë që do revokonte me entusiazëm ato do konsiderohej marrëzi dhe do ndëshkohej rëndë.
Së fundi, në bisedat tuaja flitet në mënyrën më shpërfillëse të mundshme për ligjin dhe abuzimin me të. Unë që kam njohur regjimet totalitare, e di shumë mirë, se për autoritarizmin Ligji është veç një shprehi dhe asgjë më shumë. Në demokraci, ligji është ai që rregullon gjithçka. Shkelja e tij dhe vetmën e shkelja e tij mund të kufizojë lirinë tënde. Dhe shkelja e ligjit, nuk tolerohet asnjëherë, sado vonë që të jetë. Ju e dini se nazistë që kanë shkelur ligjin 70 vjet më parë vijojnë të dënohen ende sot! Sepse ndëshkimi për shkëlësit e ligjit nuk mungon asnjëherë.
Si përfaqësues i këtij “fisi të egër”, “indigjenësh” dhe si njohësh shumë i mirë i historisë së Ballkanit ju siguroj se të gjithë abuzuesit e ligjit në këtë gadishull kanë përfunduar në burg; se të gjithë ata që kanë përçmuar etnitë e tjera e kanë çuar popullin e tyre në luftë dhe në katastrofë dhe se të gjithë ata që kanë besuar shumë në fuqinë dhe pushtetin e tyre të pakufizuar, kanë qenë viktimat e para të shembjes së tij!
Ka ende një mundësi që ju të rrëfeni se jeni realisht për një Republikë të vërtetë multietnike të Maqedonisë: t’ju kërkoni falje shqiptarëve për atë që keni thënë; të bëni transparencë për atë që ka ndodhur në Kumanovë dhe të lini drejtësinë të hetojë realisht. Nëse kjo nuk do ta bëjë sot, do ta bëjë nesër dhe për ju do të jetë shumë vonë!
Pa asnjë lloj respekti për ju, si për çdo shkelës të ligjit
Blendi Fevziu

SHKARKO APP