Borisov synon mandatin e katërt, opozita pritet të përfitojë nga skandalet politike
Bullgaria nisi të dielën garën për parlamentin dhe qeverinë e re, të cilën kryeministri Bojko Borisov e udhëheq për dy mandate me radhë. Borisov pritet ta fitojë sërish shumicën e votave por jo aq sa për të drejtuar i sigurt qeverinë.
Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, mund të mbajë për herë të katërt pushtetin, edhe pas skandaleve e protestave kundër qeverisë së tij.
Të dielën bullgarët iu drejtuan kutive të votimit për të përcaktuar 240 vendet e parlamentit.
Sondazhet paraprake i japin partisë së Borisovit gati 30 për qind të votave apo 76 deputetë, pa mundësinë për ta formuar e vetme qeverinë.
Rivalët socialistë renditen nga 5 deri 10 për qind më ulët.
Për muaj me radhë, qytetarët dhe opozita kanë akuzuar qeverinë për korrupsion, për kontroll të prokurorisë dhe për drejtimin e shtetit nën diktatin e oligarkëve.
Vetë kryeministri Borisov i ka shmangur kontaktet me mediet që nga ajo kohë, ndërkohë që analistët politikë thonë se aferat e qeverisë nuk u shfrytëzuan sa duhet gjatë fushatës.
61-vjeçari Borisov e ka qeverisur Bullgarinë për tri mandate nga viti 2009, dhe pas skandaleve të fundit e ka formatuar disa herë kabinetin, ka premtuar reforma kushtetuese për rritjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe punë më të mirë në luftën ndaj pandemisë së koronavirusit.