Britania, drejt zgjedhjeve – Opozita mbështet thirrjen e Johnson pasi parlamenti e refuzoi
Britania po i drejtohet zgjedhjeve të parakohshme në Dhjetor, pasi thirrja e kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje, në përpjekje për të kaluar ngërçin e Brexit, fitoi mbështetje nga partitë e opozitës. Ndërkohë që Bashkimi Europian përfundon shtyrjen e tretë të afatit të Brexit, që pritej të ndodhte fillimisht më 29 Mars, Mbretëria e Bashkuar, parlamenti dhe votuesit, janë ende të ndarë për mënyrën se si do vazhdojë Brexit.
Johnson, që ka premtuar Brexit me çdo kusht më 31 Tetor, ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme zgjedhje, për të kaluar pengesat politike që ndalojnë Brexit. Parlamenti refuzoi thirrjen e tretë të Boris Johnson për zgjedhje të parakohshme ditën e Hënë. Megjithatë, lideri i Opozitës Jeremy Corbyn, tha se kushti i tij për të përjashtuar Brexit pa marrëveshje është përmbushur dhe shtoi se do të mbështesë zgjedhjet.
Kjo rrit gjasat që Johnson të kalojë ligjin në parlament që thërret zgjedhje më 12 Dhjetor. “Ne do të nisim fushatën më ambicioze dhe radikale për ndryshim të vërtet në vendin tonë”, tha lideri i opozitës Corbyn.