Bullgaria drejt euros më 1 janar 2026, shqetësime dhe kundërshti mes qytetarëve
Bullgaria do të bëhet më 1 janar 2026 vendi i 21-të që miraton euron si monedhë zyrtare, një hap i rëndësishëm në integrimin e saj europian, por që shoqërohet me shqetësime dhe kundërshti të konsiderueshme brenda vendit.
Një pjesë e madhe e qytetarëve bullgarë shprehin frikën se kalimi në monedhën e përbashkët europiane mund të sjellë rritje të çmimeve dhe të thellojë paqëndrueshmërinë ekonomike, në një shtet që mbetet më i varfri në Bashkimin Europian. Sipas sondazhit më të fundit të Eurobarometrit, 49 për qind e bullgarëve janë kundër adoptimit të euros.
Në anën tjetër, mbështetësit e këtij vendimi argumentojnë se euroja do të nxisë rritjen ekonomike, do të forcojë lidhjet e Bullgarisë me Perëndimin dhe do të shërbejë si një mburojë ndaj ndikimit rus në rajon. Euroja u prezantua për herë të parë më 1 janar 2002 në 12 shtete anëtare të BE-së, ndërsa vendi i fundit që iu bashkua zonës euro ishte Kroacia, në vitin 2023.
Pas përjetimit të hiperinflacionit në vitet 1990, Bullgaria e lidhi monedhën e saj fillimisht me markën gjermane dhe më pas me euron, duke e bërë politikën monetare të varur nga Banka Qendrore Europiane. Si anëtare e Bashkimit Europian që nga viti 2007, Bullgaria hyri në vitin 2020 në të ashtuquajturën “dhomë pritjeje” për adoptimin e euros, në të njëjtën kohë me Kroacinë, duke përgatitur terrenin për kalimin në monedhën e përbashkët në vitin 2026.
KOHA JONË SONDAZH

